Në prag të protestës të së shtunës në Shkup nga OVL-UÇK-ja, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se kanë formuar një “shtab krize” në mënyrë që siç tha – gjithçka të kalojë në qetësi e pa incidente.
Gjithashtu, Mickoski deklaroi se qeveria nuk e mbështetë këtë protestë.
“Qeveria nuk e mbështetë dhe nuk kemi ndërmend ta mbështesim. Gjithsesi ne do të kujdesemi që kjo të kalojë në rendin më të mirë, të mos ketë incidente, të mos ndodhë diçka që nuk duam të ndodhë. Nuk bëhet fjalë për asnjë marrëveshje politike. Ne si Qeveri do të bëjmë gjithçka nga pranimi në kufi e deri te realizimi dhe përfundimi i protestës. Për këtë janë informuar dhe partnerët tanë strategjik ndërsa kemi formuar dhe shtab të krizës për të ndjekur të gjitha aktivitetet 24 orë para dhe pas protestës”, tha kryeministri Mickoski, raporton media Alsat.
OVL-UÇK-ja përmes një reagimi ka thënë se deklarata e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski për formimin e një “shtabi krize” krijon tension të panevojshëm, derisa siguroi qytetarët se protesta është paqësore e nuk ka asnjë arsye për dramatizim.
“Deklaratat e kryeministrit Mickoski për formimin e një “shtabi krize” vetëm sa krijojnë tension të panevojshëm dhe përpiqen ta paraqesin një tubim demokratik si rrezik. Ne sigurojmë qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit se protesta është e organizuar në koordinim të plotë, është e qetë, nuk ka prapavijë partiake dhe nuk ka asnjë arsye për dramatizim. Kërkojmë nga institucionet e shtetit të Maqedonisë së Veriut të ruajnë profesionalizmin dhe të mos e politizojnë të drejtën kushtetuese të protestës”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Kjo protestë e organizuar nga OVL-UÇK-ja në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, është paraparë të mbahet në Shkup më 13 dhjetor, në sheshin “Skënderbeu”. Kjo është e pesta me radhë.
Më 7 gusht të këtij viti është mbajtur protesta e parë në Prishtinë, pastaj në Hagë, në Tiranë dhe së fundmi edhe në Strasburg.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë nga nëntori i vitit 2020. Që të katër janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që ua ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.