Me iniciativë të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare, më 13 dhjetor në Shkup do të mbahet protestë në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së, që po gjykohen në Hagë. Organizatorët bënë thirrje për pjesëmarrje masive dhe kërkuan nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, të mos e politizojë ngjarjen
Në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare që janë duke u gjykuar nga Specialja në Hagë, Organizata e Veteranëve të Luftës ka thirrur protestë në Shkup për datën 13 dhjetor.
Ajo organizohet pas protestave në Prishtinë, Tiranë, Hagë e Strasbourg.
“Fillimisht ju njoftojmë se ne si kategori të dala nga lufta, së bashku me kategoritë e dala nga lufta atje në Maqedoni të Veriut, jemi dakorduar për mbajtjen e kësaj proteste. Kemi marrë mbështetjen edhe të zotëri Ali Ahmetit me të gjithë bashkëluftëtarët që i kemi atje”, ka bërë të ditur Gazmend Syla, nënkryetar i OVL të UÇK-së.
Syla tha se janë zhvilluar të gjitha procedurat për mbajtjen e protestës, por ende nuk është marrë ndonjë përgjigje për shfrytëzimin e hapësirës ku është planifikuar të mbahet ajo.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha këtë javë se nuk e mbështet protestën dhe shprehu pritjen që të njëjtën ta bëjë edhe partneri shqiptar në qeveri, koalicioni VLEN. Organizimin e saj Mickoski e cilësoi si “lëvizje të gabuar të Ali Ahmetit”.
E nënkryetari i veteranëve të luftës kërkoi që protesta të mos politizohet.
“Për neve kanë qenë të papranueshme, sepse duke pasur parasysh faktin se këto protesta ne i bëjmë, i kemi bërë në vendet e tjera dhe asnjëherë nuk kemi qëllim me ndiku në politikat e tyre të brendshme atje. Ideja ka qenë që ne me bë një protestë, me tregu solidaritet me bashkëluftëtarët tonë që gjenden atje në Gjykatën Speciale, prandaj për neve nuk janë të mira, nuk janë të pranueshme”, ka deklaruar Syla.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, akuzohen nga Specialja për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga viti 2020, ndërkaq verdikti pritet të shpallet deri në mesin e korrikut.
Të katërtit janë deklaruar të pafajshëm, ndërkaq mbrojtja e tyre ka akuzuar edhe disa gjyqtarë për anim në proces.
Protesta në mbështetje të tyre janë organizuar në Prishtinë, Tiranë, Hagë e Strasburg.