Arbëri

Ahmeti: Kosova mund të bëjë më shumë për ish-udhëheqësit e UÇK-së që gjenden në Hagë

Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut (BDI), Ali Ahmeti, ka thënë se institucionet e Kosovës mund të bëjnë më shumë për t’i mbështetur ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po gjykohen në Hagë.

Ai ka paralajmëruar se pas protestës që ka nisur në Tiranë, shumë shpejt do të mbahet një protestë edhe në Shkup. Ai për KosovaPress ka thënë se shoqatat e dala nga lufta në Maqedoninë e Veriut janë duke punuar në këtë drejtim dhe se protesta do të mbahet pas zgjedhjeve lokale atje.

“Shoqatat e dala nga lufta në Maqedoni të Veriut janë në punë e sipër dhe është çështje kohe se kur do të organizohet. Sigurisht pas përfundimit të zgjedhjeve një lëvizje e tillë do të ndodhë edhe në Shkup në sheshin Skënderbej”, tha ai.

Ahmeti, që po merr pjesë në protestën e organizuar në Tiranë në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së, tha se institucionet në Kosovë mund të bëjnë më shumë për t’i mbështetur Thaçin dhe të tjerët që po gjykohen nga Specialja në Hagë.

“Përherë mundet më shumë. Institucionet në Kosovë munden më shumë për këtë çështje. Aty gjykohen bijtë e Kosovës si për lirinë ashtu edhe për pavarësinë. Presim një angazhim më të madh dhe më të fortë... Më vjen keq që i jepet pak ngjyrë politike. Kjo protestë është e thirrur nga shoqatat e dala nga lufta dhe s’ka të bëjë me politikë ditore”, tha ai.

Ai tha se protesta e sotme në Tiranë është një mesazh i qartë se ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë janë të pafajshëm dhe se procesi në Gjykatën Speciale ka devijuar.

“Porosia është shumë e qartë. Të gjithë jemi UÇK. Sot është zëri i popullit nga kryeqendra shqiptare në Tiranë. Njerëzit janë të pafajshëm, ata janë çlirimtarë dhe nuk janë as trafikantë dhe as njerëz që kanë ushtruar terror dhe gjenocid mbi një popull tjetër. Kanë qenë në mbrojtje të popullit të vet dhe pragut të shtëpisë. Ky është zëri i së vërtetës. Lironi sa më parë”, përfundon ai.  

Lexo përditësimet tjera
Protesta per UCK-ne ne Tirane

“Liri për çlirimtarët” jehon në Tiranë

Me thirrjen “Liri për çlirimtarët”, mijëra qytetarë kanë protestuar të premten në sheshin “Skënderbej” në Tiranë...