LAJMET E MBRËMJES

Shkupi me mesazh special për Hagën

Shkupi është kryeqendra e tretë në rajon, në të cilën shqiptarët shprehën pakënaqësi me procesin gjyqësor është duke u zhvilluar në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Në një protestë, në të cilën morën pjesë mijëra vetë, u kërkua drejtësi në këtë proces gjyqësor

Mijëra qytetarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, për të kërkuar drejtësi për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët në Hagë janë duke u gjykuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në protestën e organizuar të shtunën, ata shprehën pakënaqësi me procesin e deritanishëm gjyqësor.

Nga Shkupi, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, i çoi mesazh kryetares së Gjykatës Speciale.

“Ne sot, në këtë numër kaq të madh, i tregojmë (Ekaterina v.j.) Trendafilovës që UÇK-ja buron, lind dhe vepron nga populli. Populli sot është mbrapa tyre. Ne sot kërkojmë drejtësi, jo politikë. Ajo gjykatë është më shumë politike dhe i ngjan gjykatave të ish-Jugosllavisë. Kjo gjykatë merret me fakte të falsifikuara, të cilat fare nuk qëndrojnë. Isha vet dëshmitar”, ka thënë Gucati.

E Ali Ahmeti, i cili është një nga themeluesit e UÇK-së dhe kryetar i partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, tha se procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve duhet të përfundojë me shpalljen të pafajshëm.

“UÇK-ja, dënonte çdo veprim fashist, çdo veprim kundër popullatës civile. Ushtria e shpallte veten ushtri e popullit vullnetar, që lufton për lirinë e popullit të vet. Objektivin final nuk e arritën për ta ndërtuar, andaj nuk do të duheshin që akuzat të bëhen për “shtëpinë e verdhë”, akuza që bëhet për ndërmarrje të përbashkët kriminale, të njollosin historinë e UÇK-së”, ka thënë Ahmeti.

Në këtë linjë foli edhe Daut Haradinaj, i cili është në mesin e tre pjesëtarëve të UÇK-së që për herë të parë dolën publikisht, e tani aktiv në politikë.

“Ne besojmë në pafajësinë e tyre, se e njohim çka ka ndodhur në Kosovë. Dihet kush ka qenë agresor. Duke i njohur rrethanat nuk ka asnjë alternativë tjetër veçse të pafajësisë së tyre. Është një thirrje publike që sa më shpejt të kthehen në Kosovë, janë të pafajshëm”, ka thënë Haradinaj.

Edhe qytetarë që morën pjesë në protestë kërkuar që Specialja t’i shpallë të pafajshëm.

“Më vjen keq që sot kërkoj liri për çlirimtarët. Ata të cilët na sollën lirinë, padrejtësisht i mbajnë në Hagë. Me këmbëngulje kërkoj që ata të lirohen sa më shpejtë”, ka thënë Vedat Akshmedi, i cili mori pjesë në protestë.

“Procesi në Hagë që po zhvillohet, është me iniciativë të Serbisë. Këta heronjtë që kanë çliruar vendin, tash gjykohen në Hagë. Besoj një milion për qind se do të lirohen”, ka thënë një qytetar tjetër.

Protesta u mbajt për herë të pestë brenda këtij viti, me kërkesë për drejtësi për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Ata ndodhen në paraburgim që nga viti 2020, ndërkaq për në pjesën e parë të 2026-s është planifikuar të shpallet vendimi nga Specialja.

Para Shkupit, protesta masive u organizuan në Prishtinë, Tiranë, Hagë dhe Strasburg.