Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë thirrje për drejtësi për ish-luftëtarët e UÇK-së që gjykohen në Hagë.
Para mijëra protestuesve shqiptarë, ai ka thënë se në Shkup u dërgojnë mesazh ambasadave të huaja aty se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë ushtri kriminale, por çlirimtare.
“Sot jemi mbledhur tu tregojmë ambasadave të huaja që gjenden në Maqedoni se UÇK-ja nuk ka qenë ushtri kriminale. UÇK-ja ka qenë ushtri çlirimtare që mbrojti vendin e vet. Sot e ngrisim zërin. Kjo gjykatë e formuar nga një njeri i çmendur që më 2011 ngriti një rezolutë në Parlamentin e Evropës se gjoja UÇK-ja ka bërë krime. I tregojmë Trendafiloves se UÇK-ja buron, lind dhe vepron nga populli. Kërkojmë drejtësi, jo drejtësi politike. Ajo gjykatë u ngjan gjykatave të ish-Jugosllavisë. Kjo gjykatë sot merret me fakte të fabrikuara që fare nuk qëndrojnë”.
Vajza e komandant Strugës: UÇK-ja s'ishte ushtri pushtimi, por çlirimi
Vajza e Nuri Mazarit i njohur si komandant Struga, Shqipdona, ka folur mes emocioneve para një numri të madh të protestuesve në Shkup.
Katërshja e UÇK-së, ajo tha se nuk përfaqëson ushtri krimi, por krenarie.
"Unë sot si bijë dëshmori qëndroj sot para jush me një emocion. Ata nuk luftuan për privilegje, ata luftuan që asnjë nënë shqiptare të mos e fsheh fëmijën nën sqetull. Që kombi ynë të mos shndërrohej në një statistikë harrese. UÇK nuk ishte ushtri pushtimi, por çlirimi. UÇK nuk ishte ushtri krimi, por ushtri e lirisë dhe dinjiteti. Hashim Thaçi një nga figurat kyçe të luftës dhe shtetndërtimit të Kosovës u privua nga liria kur mbante titullin më të lartë. UÇK ishte shtylla kurrizore e mbijetesës sonë, dalja jonë e fundit nga humnera e shfarosjes, ishte përgjigja e një populli që nuk pranoi kurrë zhdukjen dhe ata që e udhëhoqën këtë lëvizje nuk ishin kriminel, ishin mburoja fizike e një kombi të tërë. Ne jemi ata që u përballen me brutalitetin sistematik të regjimit serb, ai regjim na goditi, na shtypi dhe u përpoq ta na zhdukte por ne jemi këtu sot. Jemi dëshmi e gjallë që gjithë ata që u munduan të na shtypin, ne qëndruam besnik dhe të fortë”.
E, veterani Berat Hajdari nga sheshi “Skenderbeu” në Shkup ka thënë se askush nuk mund ta njollosë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila nuk lindi nga urrejtja por nga nevoja për mbijetesë.
“Nuk jemi këtu për të mohuar drejtësinë, përkundrazi, jemi për të kërkuar drejtësi. Nuk jemi për të kundërshtuar ligjin, por për t’i kujtuar botës se ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë, nuk jemi për përplasje por për të thënë me zë të lartë se historia nuk guxon të shtrembërohet dhe lufta jonë e drejtë nuk guxon të baltoset. Ne kërkojmë që gjykimi të jetë i ndershëm e i bazuar në fakte dhe jo në gënjeshtra serbo ruse".