Në Shkup të shtunën u protestua për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mijëra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut morën pjesë në tubimin masiv në sheshin “Skënderbeu”. Nga aty u dha mesazhi se “çlirimtarët duhet të nderohen, jo të gjykohen”.

Ahmeti: Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për vepra të pabëra, procesi të marrë epilog të pafajësisë

1 muaj më parë / 13 dhj 2025 14:13
ahmeti

Një nga themeluesit e UÇK-së, Ali Ahmeti, nga sheshi “Skënderbeu” në Shkup ka thënë se procesi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të marrë epilogun e pafajësisë dhe se UÇK dënonte çdo veprim fashist.

Ai ka theksuar se  UÇK-ja nuk ka qenë kundër asnjë populli, e as kundër popullit serb, por se ka luftuar për lirinë e popullit të vet.

"Ky proces duhet të marrë epilog të pafajësisë, sepse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si dhe ushtarët që ndodhen pas këtyre grilave, akuzohen për vepra të pabëra. Tërë procesin e kemi përcjellë; mbase na dridhej lëkura në shtrat kur dëgjonim akuzat që na i kishte bërë Beogradi e Moska si terroristë, kriminelë e banditë”, ka potencuar Ahmeti.

Ahmeti, që është kryetar i BDI-së, ka shtuar tutje se luftëtarëve të UÇK-së duhet t'u jepen mirënjohje e lëvdata nga kjo gjykatë e jo të dënohen për vepra të pabëra. 

 

Gucati: Gjykata Speciale si gjykatat e ish-Jugosllavisë, kërkojmë drejtësi të mirëfilltë

1 muaj më parë / 13 dhj 2025 13:50
gucati

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka bërë thirrje për drejtësi për ish-luftëtarët e UÇK-së që gjykohen në Hagë.

Para mijëra protestuesve shqiptarë, ai ka thënë se në Shkup u dërgojnë mesazh ambasadave të huaja aty se Ushtria Çlirimtare e Kosovës  nuk ka qenë ushtri kriminale, por çlirimtare.

“Sot jemi mbledhur tu tregojmë ambasadave të huaja që gjenden në Maqedoni se UÇK-ja nuk ka qenë ushtri kriminale. UÇK-ja ka qenë ushtri çlirimtare që mbrojti vendin e vet. Sot e ngrisim zërin. Kjo gjykatë e formuar nga një njeri i çmendur që më 2011 ngriti një rezolutë në Parlamentin e Evropës se gjoja UÇK-ja ka bërë krime. I tregojmë Trendafiloves se UÇK-ja buron, lind dhe vepron nga populli. Kërkojmë drejtësi, jo drejtësi politike. Ajo gjykatë u ngjan gjykatave të ish-Jugosllavisë. Kjo gjykatë sot merret me fakte të fabrikuara që fare nuk qëndrojnë”.

Vajza e komandant Strugës: UÇK-ja s'ishte ushtri pushtimi, por çlirimi

Vajza e Nuri Mazarit i njohur si komandant Struga, Shqipdona, ka folur mes emocioneve para një numri të madh të protestuesve në Shkup.

Katërshja e UÇK-së, ajo tha se nuk përfaqëson ushtri krimi, por krenarie.

"Unë sot si bijë dëshmori qëndroj sot para jush me një emocion. Ata nuk luftuan për privilegje, ata luftuan që asnjë nënë shqiptare të mos e fsheh fëmijën nën sqetull. Që kombi ynë të mos shndërrohej në një statistikë harrese. UÇK nuk ishte ushtri pushtimi, por çlirimi. UÇK nuk ishte ushtri krimi, por ushtri e lirisë dhe dinjiteti. Hashim Thaçi një nga figurat kyçe të luftës dhe shtetndërtimit të Kosovës u privua nga liria kur mbante titullin më të lartë. UÇK ishte shtylla kurrizore e mbijetesës sonë, dalja jonë e fundit nga humnera e shfarosjes, ishte përgjigja e një populli që nuk pranoi kurrë zhdukjen dhe ata që e udhëhoqën këtë lëvizje nuk ishin kriminel, ishin mburoja fizike e një kombi të tërë. Ne jemi ata që u përballen me brutalitetin sistematik të regjimit serb, ai regjim na goditi, na shtypi dhe u përpoq ta na zhdukte por ne jemi këtu sot. Jemi dëshmi e gjallë që gjithë ata që u munduan të na shtypin, ne qëndruam besnik dhe të fortë”.

E,  veterani Berat Hajdari nga sheshi “Skenderbeu” në Shkup ka thënë se askush nuk mund ta njollosë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila nuk lindi nga urrejtja por nga nevoja për mbijetesë. 

“Nuk jemi këtu për të mohuar drejtësinë, përkundrazi, jemi për të kërkuar drejtësi. Nuk jemi për të kundërshtuar ligjin, por për t’i kujtuar  botës se ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë, nuk jemi për përplasje por për të thënë me zë të lartë se historia nuk guxon të shtrembërohet dhe lufta jonë e drejtë nuk guxon të baltoset. Ne kërkojmë që gjykimi të jetë i ndershëm e i bazuar në fakte dhe jo në gënjeshtra serbo ruse". 

Mijëra protestues në sheshin “Skënderbeu” në Shkup

1 muaj më parë / 13 dhj 2025 13:05
shkup

Mijëra protestues janë mbledhur në sheshin “Skenderbeu” në Shkup në kërkim të drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Sheshi është mbushur me shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

"Çlirimtarët duhet të nderohen, jo të gjykohen”, është shkruar në pankartën e madhe të vendosur në shesh.

Në protestë të pranishëm janë edhe akterë politikë. Ali Ahmeti nga BDI, Vlora Çitaku, Ganimete Musliu nga PDK, Daut Haradinaj nga AAK e Fatmir Limaj i Nismës, janë parë në shesh

Gucati: Veteranët po e kalojnë kufirin pa asnjë problem

1 muaj më parë / 13 dhj 2025 11:29 Nga: Kosova Press
Shkup

Foto: KP

Te sheshi "Skënderbeu" në Shkup po bëhen përgatitjet për protestën në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, ka thënë se qytetarët nga Kosova kanë kaluar kufirin për në Maqedoninë e Veriut pa ndonjë problem, përfshirë veteranët e luftës. Shtoi se në kufi policët janë shqiptarë dhe se nuk do të ketë lista të veteranëve për t’i ndaluar.

“Kam thirrur në kufi, kam pyetur, policët janë shqiptarë, në kufi nuk do të ketë lista të veteranëve që do t’i kontrollojnë. Ata që e ndiejnë vetën jo të sigurt ju them mos ejani”, ka thënë ai para fillimit të protestës.

Gucati i ka dërguar porosi kryeministrit maqedonas, Hristijan Mickoski, se protesta do të jetë e qetë. 

"Reagimet që i bëri kryeministri i Shkupit, pa nevojë pat një frikë pa nevojë, shqiptarët protestojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, nuk kanë ardhur të destabilizojnë vendin, këtë breng ia heqi, i them 'flej dathë' se shqiptarët do të protestojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, nuk ka pasur nevojë për panik". 

Kjo është protesta e radhës, ku sërish pritet të mblidhen shqiptarë nga të gjitha trevat me thirrjet për drejtësi.

Me mijëra shqiptarë kanë marrë pjesë edhe në protestën e mbajtur në Tiranë, në kryeqytetin shqiptar, ku u bë thirrje për drejtësi të ish-krerëve e të UÇK-së.

Një tjetër protestë e madhe është mbajtur më 14 shtator në qytetin holandez në Hagë, ku me mijëra shqiptarë u mblodhën nga Evropa, Amerika por edhe Kosova që të kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo protestë u organizua një ditë para se të dëgjohet dëshmitari i parë i mbrojtjes në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-ndihmëssekretari amerikan, James Rubin.

Protestë ishte mbajtur edhe në Strasburg.