Mbrojtja e Pjetër Shalës ka deklaruar se derisa kanë mbledhur provat në teren, kanë hasur në persona të cilët kanë ngurruar të flasin me avokatët lidhur me çështjen për të cilën akuzohet ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në konferencën përgatitore për mbrojtjen, avokati Mohamed Hedi Aouini ka thënë se shumë individë fillimisht kishin pranuar të takoheshin por pastaj kanë refuzuar.
Nga mbrojtja është thënë se shumë takime i kanë zhvilluar të natyrës informale, meqë kjo ishte mënyra e vetme për të marrë përgjigje nga persona të caktuar.
“Shumë individë fillimisht pranuan të takoheshin me neve pastaj refuzuan të takoheshin me ne dhe kur shkon, udhëton, në një vend tjetër, është goxha nervozuese që ti shkon atje dhe nuk mund të takosh personat me të cilët ke rënë dakord paraprakisht. Sa herë që ne kemi organizuar takime jo formale duke i pyetur ata për gjërat që dinë dhe nuk dinë, e kemi konstatuar se kur nuk kemi mbajtur shënime kjo na ka bërë që të kishim mundësi të takoheshim edhe herë të tjerë me këta individë dhe që ata të mund të na ndihmonin me dëshmitë, me provat dhe me përvojën e tyre. Kjo është arsyeja se nuk kemi mbajtur shënime”, ka thënë avokati para trupit gjykues.
Konferenca përgatitore për mbrojtjen po mbahet pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe avokati i viktimave kanë përfunduar paraqitjen e provave kundër Pjetër Shalës.
Edhe
Avokatët kërkojnë lirimin e Shalës, thonë se nuk ishte në Kukës gjatë kohës që pretendon prokuroria
Ai po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales, “krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Mbrojtja e Shalës ka thënë se dëshmitarët e thirrur do të tregojnë se nuk e kanë parë atë në Kukës, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i ka kundërshtuar dëshmitë e tyre.
Hedi-Aouini tha se po sjellin njerëz që thonë se Shala nuk ka qenë pjesë e Brigadës 128.
Edhe
Mbrojtja e Shalës propozon dëshmitarë, Prokuroria i quan të pavlefshëm
“E kemi thënë se Shala është akuzuar se ishte pjesë e Brigadës 128, po sjellim njerëz që thonë se Shala nuk ka qenë pjesë e Brigadës 128 dhe nuk e kanë parë Shalën aty, dhe që të ketë pas ndonjë rol atje, kjo është arsyeja pse po sjellim persona nga Brigada”, tha ai.
Tutje, ai tha se Shala nuk ka pasur vend në atë fabrikë dhe se duan të tregojnë se ka ekzistuar ky informim kur është përpiluar aktakuza, nga ana e ZPS-së, pasi sipas tij ka dëshmitarë që janë intervistuar edhe nga ZPS-ja.
Ndër të tjera, Aouini ai tha se dëshmitari 17-të thotë se nuk është pyetur fare për Shalën.
Ai po ashtu tha se është një dëshmitar që ka qenë pjesë e Brigadës 128 por që nuk e ka parë të akuzuarin në Kukës, si dhe ka të tjerë që e kanë thënë të njëjtën gjë, por që shtoi se informacionet i kanë që të njëjtit kanë qenë në atë fabrikë kur ka filluar mobilizimi dhe më tej, duke shtuar se besojnë se është saktësisht në periudhën e aktakuzës.
Edhe
Vazhdon gjykimi kundër Shalës, dëshmitari i shtatë intervistohet në seancë private
Nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, janë kundërshtuar dëshmitë e disa dëshmitarëve.
/KosovaPress