Dëshmitari i parë në procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës ka deklaruar të hënën se në maj të vitit 1997 babai i tij ishte keqtrajtuar në Kukës. Dëshmitari, identiteti i të cilit është i mbrojtur nga Specialja, ka thënë se përveç Shalës, ndaj babait, që ishte oficer policie, dhunë kanë ushtruar edhe disa persona të tjerë
Dëshmia e një dëshmitari të mbrojtur është dëgjuar të hënën në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Në seancë, një pjesë e së cilës nuk ishte e hapur për publikun, dëshmitari u është përgjigjur pyetjeve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Sipas dëshmitarit, babai i tij ka shërbyer si oficer policie deri në vitin 1997 dhe se si familje ka qenë përkrahëse e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai tha se pas shkarkimit të babait të tij nga puna, i është kërkuar dorëzimi i armëve nga disa persona që i kishin shkuar në shtëpi.
“Në maj kanë ardhur dy persona të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Jabllanica, Hamëz Ibrahimaj dhe një person tjetër, edhe ai Ibrahimaj. Herën e parë dy persona, këta dy kanë qenë, kanë ardhur në shtëpi, kanë folur më vëllanë gjoja për dorëzimin e armëve që i kemi pasur për mbrojtjen e fshatit”, ka thënë dëshmitari.
Ai tha se babai i tij është mbajtur në një fabrikë metali në Kukës dhe ndaj tij është ushtruar dhunë nga i akuzuari i Speciales, Pjetër Shala.
“Fillimisht, pasi që babin tim e kanë mbajtur për disa kohë në Kukës, në fabrikën hekurishte, aty Pjetër Shala personalisht në babin tim ka ushtruar dhunë, forcë, elektroshok, bishta të sakicave dhe rrahje masive me gjithë të ndaluarit e tjerë së bashku”, ka deklaruar dëshmitari.
Prokurori Filipe Deminiqes pyeti dëshmitarin nëse babai i tij ka përmendur emra të personave që pretendohet se kanë ushtruar dhunë.
“Sabit Geci, Xhemshit Krasniqi, Pjetër Shala, me njerëz të tjerë që nuk ua ka ditur emrat”, ka thënë dëshmitari.
Emrin e Pjetër Shalës dëshmitari nuk e ka përmendur në vitin 2010, gjatë dëshmisë së dhënë para Tribunalit Penal për ish-Jugosllavi.
Fillimisht ka tentuar t’i ikë përgjigjes së prokurorit lidhur me këtë, por më pas dëshmitari ka thënë se në atë kohë nuk ishte e domosdoshme të përmendej emri i Shalës, pasi gjykimet po bëheshin për të tjerët.
Sipas dëshmitarit, babai nga Kukësi ishte kthyer pas dy javësh paraburgimi në gjendje të tmerrshme.
Pjetër Shala po mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Shala akuzohet nga Specialja se ka kryer krime në periudhën 17 maj - 5 qershor 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në Fabrikën e Metalit në Kukës, e që pretendohet se përdorej nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.