LAJMET E MBRËMJES

Mbrojtja e Shalës propozon dëshmitarë, Prokuroria i quan të pavlefshëm

Avokatët e Pjetër Shalës kanë prezantuan të enjten arsyetimet për propozimin e një numri dëshmitarësh, teksa kanë thënë se kanë dëshmitarë që tregojnë se Shala nuk ishte pjesë e Brigadës 128, siç po pretendon Prokuroria. Ata thanë se kanë edhe dëshmitarë të tjerët që thonë se nuk e kanë parë në Fabrikën e Metaleve në Kukës, ku Specialja pretendon se ka qenë qendër ndalimi. Por prokurorët shprehën mospajtim me propozimet e mbrojtjes për dëshmitarët

Radha i ka ardhur të enjten mbrojtjes së Pjetër Shalës, pas përfundimit të prezantimit të provave e dëshmitarëve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), në procesin gjyqësor për krime lufte që është duke u zhvilluar në Hagë.

Në konferencën përgatitore për ecurinë e çështjes, avokatët e Shalës kanë prezantuar arsyetimet për propozimin e dëshmitarëve. Ata kanë thënë se kanë dëshmitarë që tregojnë se Shala nuk ka qenë pjesë e Brigadës 128, siç po pretendon Prokuroria, dhe të tjerë që thonë se nuk e kanë parë në Fabrikën e Metaleve në Kukës, ku Specialja pretendon se ka qenë qendër ndalimi.

“Z. Shala ishte akuzuar se ishte pjesë e Brigadës 128. Ne po sjellim njerëz për të treguar që zoti Shala nuk ka qenë në Brigadën 128. Ne po sjellim njerëz që thonë se nuk e kanë parë zotin Shala atje. Ne po përpiqemi të luftojmë kundër argumenteve që zoti Shala ka qenë atje, apo që ka pasur ndonjë rol në Fabrikën e Metalit në Kukës, apo që ka qenë në marrëveshje me individë të tjerë për të kryer vepra penale, dhe kjo është arsye pse po sjellim njerëz nga Brigada 128 për ta provuar këtë”, ka thënë Mohamed Aouini, avokat i Shalës.

Mirëpo propozimet e mbrojtjes i ka kundërshtuar prokurori Filippo de Minicis.

“Mbrojtja nuk ka parashtruar mbështetje të përshtatshme në parashtrimet e tyre”, ka thënë De Minicis, prokuror i ZPS-së.

E, avokatë të Shalës e kanë akuzuar Prokurorinë se po frikësohet prej asaj që mund ta dëshmojnë dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja.

“Unë pyes veten çfarë po ndodh, pse, nga çfarë kanë frikë, që të dëgjojnë disa njerëz. Ne e dimë që ata janë persona që kanë qenë pjesë e Brigadës, që kanë qenë në listën e UÇK-së. ZPS-ja ka frikë t’i dëgjojë këta njerëz, ka frikë nga realiteti, kjo është pyetja”, ka thënë Jean-Louis Gilissen, avokati kryesor i Shalës.

E kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia, ka thënë se lidhur me dëshmitarët e propozuar do të lëshohet urdhër në seancën e përcaktuar për të premten.

Në konferencën përgatitore të së enjtes, Shala ka marrë pjesë nëpërmjet videolidhjes nga Qendra e Paraburgimit në Hagë, ku po mbahet që prej marsit të vitit 2021. Ai është arrestuar më 16 mars të 2021-s nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill të po atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Shala akuzohet për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturë e vrasje të paligjshme në Kukës, ndërmjet 17 majit dhe 5 qershorit 1999. Ai i ka quajtur trillime akuzat.