Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur shqyrtimi në Apel i çështjes ndaj Pjetër Shalës, i dënuar në korrik të vitit të kaluar me 18 vjet burgim për krime lufte. Avokati Jean-Louis Gillissen ka sfiduar aktgjykimin e Shkallës së Parë, duke pretenduar se dënimi është bazuar në prova të kontestuara në gjykatë dhe për vepra që nuk janë përmendur në aktakuzë. Mbrojtja ka ngritur dyshime edhe mbi rregullsinë e procesit gjyqësor
Me pretendime se Pjetër Shala është dënuar me prova të pashoshitura e për krime të papërmendura në aktakuzë, avokati i tij Jean-Louis Gillissen ka nisur sfidimin e aktgjykimit të Themelores, e cila ka dënuar klientin e tij.
Në seancën e parë në dhomën e Apelit në Hagë, të enjten, Gillissen ka thënë se Shkalla e Parë, si prova ka pranuar deklarata të Shalës të dhëna në vitet 2016 e 2019, gjatë të cilave ai as nuk ka pasur avokat e as nuk ishte njoftuar për mundësinë e ndihmës juridike falas.
Gillissen gjithashtu ka pretenduar se këto deklarata nuk janë shqyrtuar gjatë procesit dhe rrjedhimisht mbrojtja nuk ka mundur t’i kontestojë e as t’i diskutojë.
“Për më shumë se 20 vjet hetime Shala ka dhënë disa deklarata sikur ju e dini: në 2005, 2007-, 2016 dhe 2019, dhe në këto raste, siç e dini shumë mirë, asnjëherë nuk është marrë në pyetje në praninë e një avokati. Mbi të gjitha është marrë në pyetje pa iu dhënë mundësia fare të konsultohej me një avokat”, ka thënë Gillissen.
Shala është dënuar me 18 vjet heqje lirie në aktgjykimin e shpallur më 16 korrik 2024. Themelorja ka gjetur se Shala bashkë me anëtarë të tjerë të UÇK-së ka marrë pjesë në ndalimin dhe keqtrajtimin e 18 personave në Fabrikën e Metaleve në Kukës gjatë gjysmës së parë të vitit 1999.
Sipas aktgjykimit, Shala është përgjegjës edhe për një vrasje, pasi në prani të tij njëri nga të ndaluarit ishte qëlluar me armë dhe më pas nuk i ishte ofruar ndihmë mjekësore.
Avokati Gillissen ka shprehur vërejtje se Shala është dënuar edhe për krime ndaj 9 personave që nuk përmenden në aktakuzë.
“Aktgjykimi u referohet nëntë viktimave qartësisht të identifikuara dhe e ka ngarkuar me përgjegjësi penale Shalën sa u përket këtyre nëntë viktimave, vendimi i dënimit në aktgjykim lidhet me 18 viktima të identifikuara, pa asnjë lloj ndryshimi të mundshëm në aktakuzë. Zoti Shala është dënuar për krime të cilat nuk janë përmendur në aktakuzë”, ka thënë Gillissen.
Në fillim të seancës është bërë e ditur se apeli i Shalës mbështetet në 14 pika dhe palët do të dëgjohen të enjten dhe të premten.