Arbëri

Apeli i Speciales shqipton aktgjykimin ndaj Shalës më 14 korrik

Pjetër Shala

Aktgjykimi i Apelit në çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës do të shqiptohet më 14 korrik, në orën 11:30. 

Në njoftimin e Speciales thuhet se seanca do të jetë publike dhe mund të ndiqet në gjuhët shqipe, serbe dhe anglishte nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë në faqen e internetit të Dhomave të specializuara të Kosovës me 10 minuta vonesë, ose nga galeria për publikun në mjediset e gjykatës. 

Shala më 16 korrik të vitit të kaluar ishte shpallur fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe ishte dënuar 18 vjet burgim. 

Më 2 shtator 2024, Mbrojtja e Shalës dorëzoi njoftimin për apel kundër aktgjykimit.

Në këtë çështje gjyqësore, Prokuroria pretendon se afërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, Pjetёr Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roja të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin çnjerëzor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të të ndaluarve në Fabrikën e Metalit në Kukës, në Shqipërinë veriore.

Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin persona që dyshoheshin se bashkëpunonin me Serbinë ose se nuk përkrahnin UÇK-në, dhe të cilët nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Në procesin gjyqësor morën pjesë tetë viktima të përfaqësuar nga një avokat.

Sipas aktakuzës, të ndaluarit në fabrikën e metalit u keqtrajtuan rregullisht, si fizikisht, ndër të tjera përmes rrahjes me mjete të ndryshme, ashtu edhe psikologjikisht, ndër të tjera, përmes kërcënimit me vdekje, poshtërimit, ngacmimit, marrjes në pyetje dhe detyrimit ose shtrëngimit për të dhënë informacion ose deklarata pranuese. Aktakuza pretendon se Pjetёr Shala dha kontribut të qenësishëm në krimet e pretenduara duke marrë pjesë në to drejtpërdrejt, si dhe duke mos marrë masa adekuate për të mundësuar trajtimin njerëzor të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, ose duke ndihmuar dhe inkurajuar në mënyra të tjera kryerjen e krimeve që paraqiten në aktakuzë.