Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka njoftuar se vetëm tri ditë para përfundimit të afatit ligjor për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë, një numër i konsiderueshëm i zyrtarëve publikë ende nuk e kanë përmbushur këtë obligim.
Përmes një komunikate për media, APK-ja ka bërë të ditur se sipas të dhënave të përditësuara më 29 mars, 7.482 zyrtarë publikë (72.32%) kanë përfunduar deklarimin, 1.394 (13.48%) janë në proces dhe 1.469 (14.20%) nuk e kanë filluar fare.
APK-ja thotë se nga gjithsej 10.345 zyrtarë të obliguar, mbi 1.400 ende mbeten jashtë procesit, duke rrezikuar drejtpërdrejt shkeljen e afatit ligjor. Tutje shton se tri ditët në vijim janë vendimtare dhe çdo mosveprim brenda këtij afati aktivizon automatikisht mekanizmat ndëshkues të paraparë me ligj.
“Deklarimi i pasurisë nuk është opsional - është obligim ligjor. Mosrespektimi i afatit ligjor rezulton me shqiptimin automatik të gjobës mandatore në vlerë prej 30% të pagës së subjektit deklarues. Çdo vonesë mbi 15 ditë përbën bazë për inicimin e hetimeve penale. Në këtë fazë, çdo neglizhencë është e pajustifikueshme. Ftojmë të gjithë zyrtarët që të përfundojnë deklarimin menjëherë. Koha po përfundon - veproni tani”, theksoi Yll Buleshkaj, Drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Agjencia rikujton se mosdeklarimi, vonesa apo deklarimi i pasaktë, përveç mostransparencës dhe llogaridhënjes ndaj publikut, përbëjnë edhe shkelje të drejtpërdrejta të obligimeve ligjore dhe trajtohen sipas legjislacionit në fuqi, duke përfshirë masa administrative dhe procedura penale.
Edhe
Pak orë deri në mbyllje të afatit, ende qindra zyrtarë publikë s’e kanë deklaruar pasurinë