Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjini: Dënimi shtesë i Thaçit është një tjetër lajm i keq për Kosovën

Ardian Gjini

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, ka deklaruar se Kosova po përballet me një varg zhvillimesh negative, duke shprehur shqetësimin për situatën politike, dënimin shtesë të ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë dhe gjendjen energjetike në vend, raporton Ekonomia Online.

Gjini ka thënë se në mbledhjen e sotme të Kryesisë është diskutuar për çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimet në Kosovë, duke theksuar se vendi tash e një kohë të gjatë po përballet vetëm me lajme të këqija.

“Fatkeqësisht, tashmë për një kohë të gjatë Kosova po merr vetëm lajme të këqija. Kemi harruar kur e kemi marrë ndonjë lajm të mirë për vendin tonë dhe po besojmë që qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një situatë të tillë”, ka deklaruar Gjini.

Duke komentuar dënimin shtesë të ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, kreu i Aleancës ka ritheksuar qëndrimin e partisë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

“Sot e kemi edhe lajmin për dënimin shtesë të ish-presidentit Thaçi në Hagë. Aleanca mbetet pranë qëndrimit të vet të pastër në mbështetje të të gjithë luftëtarëve të lirisë, në theks të luftëtarëve të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Ne e kemi thënë më parë, nuk e kemi votuar ligjin më 2015 dhe mendojmë që vendimi i Kosovës ka qenë dashje apo shtesë, anulimi i ligjit për këtë kohë”, është shprehur ai.

Gjini ka folur edhe për qëndrimin e AAK-së lidhur me amendamentimin e ligjit në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se partia e tij e ka mbështetur këtë proces dhe se pret që puna e nisur nga Kuvendi të përfundojë sa më shpejt.

“Shumë keq. Në situatën në të cilën gjendemi, prapë e kemi mbështetur amendamentimin e atij ligji tash në Kuvend dhe kemi menduar që ka qenë hapi në krye të heqja e tij dhe kthimi nga ana e presidentes. Në këto rrethana kërkojmë që sa më shpejt të përfundojë kryepuna të cilën Kuvendi i Kosovës e ka nisur, të cilën qytetarët e Kosovës e kanë kërkuar. Kjo është një lajm i keq”, ka deklaruar Gjini.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga kryetari i AAK-së ka qenë edhe situata me energjinë elektrike në Kosovë. Ai ka rikujtuar se për këtë çështje kishte paralajmëruar qytetarët edhe muaj më parë, duke theksuar se paralajmërimet e tij dhe të kolegëve të partisë kishin nisur që nga muaji korrik.

“Lajm tjetër i keq është situata me energji në Kosovë. Prej këtij vendi, prej kësaj foltoreje, ka disa muaj që prej korrikut që kolegët e mi në Aleancë dhe unë e kemi paralajmëruar popullin e Kosovës”, ka thënë Gjini.

Lexo përditësimet tjera
Hashim Thaçi

Reagimet pas shpalljes së dënimit ndaj Thaçit e të tjerëve në rastin kundër administrimit të drejtësisë