Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 12-të, në mënyrë elektronike, e në të cilën ka marrë disa vendime.
Në këtë mbledhje është miratuar nisma për lidhjen e marrëveshjes për grant dhe Zbatimi i Projektit ndërmjet Kosovës, “KRU Prishtina” dhe KfW Frankfurt am Main, lidhur me projektin “Zhvillimi Urban i Përshtatur me Klimën - Ujërat e Zeza në Prishtinë”.
Për Prishtinën është miratuar edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për projektin “Ndërtimi i Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Prishtinë”.
Një vendim tjetër është miratimi i nismës për lidhjen e marrëveshjes së grantit në mes Kosovës, KOSTT-it dhe KfW Frankurt am Main, e që ka të bëjë me përmirësimin e rrjetit të transmetimit.
Me KfW Frankfurt am Main është miratuar edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit mes Kosovës dhe Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave në Kosovë, për projektin “Menaxhimi i Mbetjeve të Ngurta II-IV”.
Të gjitha vendimet:
- Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane të Investimeve për Projektin e “Përmirësimit të Pajisjeve Mjekësore dhe Infrastrukturës”. Kjo marrëveshje përfshin blerjen e pajisjeve të reja mjekësore, punimet infrastrukturore rehabilituese për instalimin e tyre, ngritjen e Njësisë së Zbatimit të Projektit (NJZP), asistencën teknike dhe trajnimin e ekipeve të inxhinierisë biomjekësore për mirëmbajtjen e këtyre aseteve. Ky projekt është në përputhje të plotë me prioritetet e Qeverisë për reformimin e sektorit të shëndetësisë dhe sigurimin e qasjes shëndetësore cilësore për të gjithë qytetarët.
- Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për Projektin “Përmirësimi i Kujdesit Shëndetësor Sekondar dhe Terciar”. Kjo marrëveshje përfshin modernizimin dhe përmirësimin e pajisjeve mjekësore në gjashtë spitalet publike të përfshira në projekt, përshtatjen dhe rinovimin e infrastrukturës spitalore për të mundësuar instalimin dhe funksionimin e pajisjeve mjekësore, përfshirë pajisjet e teknologjisë së lartë, përmirësimin e kapaciteteve diagnostikuese dhe trajtuese të institucioneve publike shëndetësore, rritjen e qasjes së barabartë në shërbimet shëndetësore, veçanërisht për familjet e cenueshme dhe me të ardhura të ulëta që varen nga sistemi publik shëndetësor, mbështetjen e personelit shëndetësor dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së shërbimeve përmes mirëmbajtjes së pajisjeve dhe zhvillimit të kapaciteteve përkatëse.
- Miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Grant dhe Zbatim të Projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, si dhe KfW Frankfurt am Main, lidhur me projektin “Zhvillimi Urban i Përshtatur me Klimën - Ujërat e Zeza në Prishtinë”.
- Miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, KOSTT-it, dhe KfW Frankfurt am Main, për projektin “Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”.
- Miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Mbeturinave në Kosovë, dhe KfW Frankfurt am Main, për projektin “Menaxhimi i Mbetjeve të Ngurta II-IV (Kontributi i BE-së)”.
- Miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për Projektin “Ndërtimi i Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Prishtinë”.
- Miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, duke vepruar së bashku si Administrator i Komisionit Evropian, për Projektin e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
- Miratuar Kërkesën e Ministrisë së Financave për realizimin e kursimeve dhe ndarjeve buxhetore, sipas tabelave të paraqitura në Aneksin A (Kursimet) dhe Aneksin B (Ndarjet).
- Miratuar kërkesën për ndarjen e mjeteve buxhetore me qëllim të mbulimit të mungesës së mjeteve buxhetore të krijuar si rezultat i alokimit të parakohshëm.
- Miratuar Kërkesën e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për transferimin e mjeteve buxhetore deri në 25% të ndarjeve buxhetore të ndikuara negativisht.