Miratimi i Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare të SHBA-së e ka rikthyer Kosovën në fokusin strategjik të Washingtonit dhe ka krijuar një momentum të ri politik. Analistët në Prishtinë vlerësojnë se përfshirja e Kosovës në këtë ligj e betonon rëndësinë e saj strategjike për Ballkanin Perëndimor dhe për SHBA-në, duke riafirmuar mbështetjen për pavarësinë, sigurinë dhe zhvillimin e saj.
Analisti Artan Alijaj thekson se ky është një nga zhvillimet më të rëndësishme të vitit, pasi për herë të parë Kosova përmendet me ligj si partner strategjik i SHBA-së. Ai vlerëson se administrata aktuale amerikane ka sjellë qartësi të madhe në dialogun Kosovë–Serbi, duke e kushtëzuar atë drejtpërdrejt me njohjen reciproke, e jo vetëm me normalizim marrëdhëniesh siç ka ndodhur më parë.
Alijaj vlerëson se politika kosovare duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe në të njëjtën kohë t’i përmbushë obligimet që dalin nga marrëveshjet e Brukselit, të cilat përmenden edhe në ligjin amerikan.
“Është koha e fundit që pa marrë parasysh cila parti është në pushtet ta ketë të qartë që ka ardhur koha që edhe ne t’i kryejmë obligimet tona, pasi që shumë qartë thuhet edhe në ligjin e Kongresit Amerikan, i cili u nënshkrua nga presidenti Trump që Kosova e ka obligim që t’i përmbushë ato që i ka premtuar, qoftë në Bruksel, qoftë në Ohër. Pra, është një mundësi e artë, mendoj, për vitin e ardhshëm që të fokusohemi që më në fund ta heqim nga agjenda jonë faktin e problemit me Serbinë dhe të ecim tutje”, ka thënë ai. “Mendoj që kjo është një mundësi shumë e mirë që një herë e përgjithmonë të përfundojë ky proces dhe Kosova të ecë para pa pengesa të tilla, të cilat i shohim çdo ditë”.
Sipas Alijajt, votimi i këtij ligji nga Kongresi amerikan dhe nënshkrimi nga presidenti Donald Trump e kodifikojnë qartë drejtimin që duhet të marrë dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, duke garantuar një rrugë të qartë të Kosovës drejt integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ligji gjithashtu thekson rëndësinë e Kosovës për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon.
Dokumenti përfshin një seksion të veçantë për marrëdhëniet Kosovë–Serbi, ku palët inkurajohen të zbatojnë marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe ku kundërshtohet qartë çdo ide për ndryshim kufijsh në Ballkan. SHBA-ja liston edhe veprime konkrete që mund të ndërmarrë pas përparimit në dialog, përfshirë vendosjen e dialogut strategjik mes dy vendeve.
Në këtë kontekst, Alijaj thekson se politika kosovare duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi historike duke përmbushur obligimet nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit. Edhe Ambasada e Kosovës në Washington ka vlerësuar se ligji riafirmon mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për sovranitetin, sigurinë dhe rrugën euroatlantike të Kosovës, si dhe për reformat demokratike, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor.