Arbëri

I kërkohet reflektim Kosovës, pas mbështetjes së re amerikane

Miratimi i një ligji kyç për mbrojtjen në Shtetet e Bashkuara e ka rikthyer Kosovën në fokusin strategjik të Uashingtonit. Analistët në Prishtinë vlerësojnë se ky zhvillim krijon momentum të ri politik, që Prishtina zyrtare duhet ta shfrytëzojë me veprime konkrete

Përfshirja e Kosovës në Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare të Shteteve të Bashkuara e betonon rëndësinë strategjike që ka Kosova për rajonin dhe Uashingtonin, kanë vlerësuar të shtunën njohës të zhvillimeve politike.

Analisti Artan Alijaj ka theksuar se administrata aktuale i dha më shumë qartësi çështjes së pazgjidhur mes Kosovës e Serbisë, e cila duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Po mendoj që ky ka qenë zhvillimi më i mirë i vitit. Definitivisht është lajmi që e kemi pritur ndoshta edhe më herët. Fakti që tash për herë të parë me ligj është përmendur Kosova si një partner strategjik në rajon dhe në anën tjetër, po ashtu është riafirmuar mbështetja për pavarësinë e shtetit. Po ashtu për herë të parë, për dallim prej ndoshta administratës së kaluar, sa i përket dialogut me Serbinë, thuhet decidivisht që dialogu bëhet me kushtin që të kemi njohje të dyanshme”, ka thënë Alijaj.

Ai ka theksuar se, pas këtij zhvillimi, nuk kemi të bëjmë vetëm me një normalizim marrëdhëniesh, ashtu siç është kërkuar në të kaluarën dhe është synuar që njohja e ndërsjellë të vijë në një afat më të vonë.

“Në këtë rast presidenti Trump dhe Kongresi Amerikan me votimin e këtij ligji në një formë e kanë kodifikuar faktin që dialogu me Serbinë i përkrahur nga BE-ja, duhet të shkojë në drejtim të njohjes së ndërsjellë dhe në anën tjetër garanton rrugë të qartë të Kosovës, qoftë në integrim në NATO, po ashtu edhe në Bashkimin Evropian”, ka thënë Alijaj.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar të enjten Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare prej gati 1 trilion dollarësh, në të cilin përfshihet edhe Kosova. Dokumenti mbi 3 mijë faqesh thekson rëndësinë strategjike të Kosovës si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe riafirmon angazhimin e SHBA-së për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon.

Një seksion i veçantë i kushtohet marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Palët inkurajohen për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit e arritur më 27 shkurt 2023, tek përjashtohet ideja e ndryshimit të kufijve në Ballkan.

SHBA-ja ka listuar veprimet që mund t’i ndërmarrë pasi të jetë shënuar përparim në dialog. Ato përfshijnë edhe vendosjen e dialogut strategjik mes Kosovës e Serbisë.

Alijaj vlerëson se politika kosovare duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe në të njëjtën kohë t’i përmbushë obligimet që dalin nga marrëveshjet e Brukselit, të cilat përmenden edhe në ligjin amerikan.

“Është koha e fundit që pa marrë parasysh cila parti është në pushtet ta ketë të qartë që ka ardhur koha që edhe ne t’i kryejmë obligimet tona, pasi që shumë qartë thuhet edhe në ligjin e Kongresit Amerikan, i cili u nënshkrua nga presidenti Trump që Kosova e ka obligim që t’i përmbushë ato që i ka premtuar, qoftë në Bruksel, qoftë në Ohër. Pra, është një mundësi e artë, mendoj, për vitin e ardhshëm që të fokusohemi që më në fund ta heqim nga agjenda jonë faktin e problemit me Serbinë dhe të ecim tutje”, ka thënë ai. “Mendoj që kjo është një mundësi shumë e mirë që një herë e përgjithmonë të përfundojë ky proces dhe Kosova të ecë para pa pengesa të tilla, të cilat i shohim çdo ditë”.

E Ambasada e Kosovës në Uashington përmes një postimi në Facebook, ka vlerësuar se përfshirja e Kosovës riafirmon mbështetjen e fuqishme të SHBA-së.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë riafirmuar mbështetjen e tyre të fuqishme për Republikën e Kosovës përmes miratimit të National Defense Authorization Act (NDAA). Ligji nënvizon përkushtimin e SHBA-së ndaj sovranitetit, sigurisë dhe rrugës euroatlantike të Kosovës, mbështet dialogun Kosovë-Serbi të bazuar në njohje reciproke, dhe kundërshton qartë çdo ide për ndarje territoriale apo ndryshim kufijsh. Mirënjohës Kongresit, Shtëpisë së Bardhë dhe gjithë atyre që u angazhuan në përfshirjen dhe miratimin e dispozitave me peshë për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Në ligj parashikohet mbështetje e vazhdueshme për reformat demokratike dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe forcimin e institucioneve.