Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka përkujtuar 141 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit duke thënë se kjo ngjarje është një nga momentet kyçe të historisë dhe kthesë për politikën e vendit.
“Sot shënojmë 141 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një nga momentet kyçe të historisë dhe kthesë për kahen politike të vendit, për liri dhe pavarësi. Vendimet e kësaj date, që u morën për vilajetet shqiptare në atë kohë, u bënë trase e rrugës tonë të deritashme dhe realizimit të aspiratës dhe të drejtës tonë shekullore, ka shkruar ai në Facebook.
Gjithashtu edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka kujtuar 141 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.
Ai ka thënë se në këtë datë, ka lindur ideali për mendimin shtetëror e kombëtar të shqiptarëve i cili vazhdon edhe sot.
“Si sot 141 vjet më parë, në Prizren lindi mendimi shtetëror kombëtar i shqiptarëve. Ky ideal u rrit dhe na udhëhoqi. E më së miri u kurorëzua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, 20 vjet më herët. Ky ideal vazhdon edhe sot, në rrethana të reja. Kombi ynë ecën i sigurt drejt të ardhmes së tij euro-atlantike”, ka shkruar Veseli.
Ndërkaq zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj deklaroi se Lidhja Shqiptare e Prizrenit, është lëvizja me e rëndësishme e shqiptarëve, e cila ri-zgjoi ndjenjën kombëtare për liri dhe emancipim të shqiptarëve.
“Me rastin e 141-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, Limaj thotë se Programi politik i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, arriti që t'i artikulojë qartë ambiciet kombëtare për bashkimin e vilajeteve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar. Programi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndër dekada mbeti frymëzim i shumë lëvizjeve kombëtare, lëvizje këto që kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë ditë, kujtojmë ideologët dhe drejtuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizrenin, Abdyl Frashërin dhe Sulejman Vokshin, të cilët mbeten themeltarët e shtetit shqiptar”, ka shkruar Limaj në Facebook.