Në manifestimin kushtuar 145-vjetorit të Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit, përfaqësues të lartë shtetërorë të Kosovës dhe të Shqipërisë vunë në pah rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike për kombin. Në këtë përvjetor ata porositën që këto ideale të shërbejnë si frymëzim për unitet, por edhe për të ruajtur miqësitë me partnerët strategjikë ndërkombëtarë
Rëndësia e Lidhjes së Prizrenit për lirinë e kombit shqiptar dhe për vënien e themeleve të shtetit shqiptar është përkujtuar në qytetin e vjetër, gjatë shënimit të 145-vjetorit të kësaj ngjarjeje historike.
Në manifestimin qendror kushtuar këtij përvjetori, liderë shtetërorë nga Kosova dhe Shqipëria vunë në pah rëndësinë e unitetit brenda kombit, por edhe ruajtjes së miqësive të trashëguara me partnerët perëndimorë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Lidhja simbolizon vendin e përbashkimit të shqiptarëve drejt qëllimit madhor të lirisë kombëtare.
Shqiptare e Prizrenit ishte po kështu thirrje për zgjim e bashkim kombëtar në kohën kur po rrezikohej ekzistenca e këtij kombi të lashtë”, ka thënë presidentja Osmani. “Ajo e shprehu qartë jo vetëm përcaktimin e shqiptarëve për shtet të pavarur, si instrument të rëndësishëm politik për realizimin e aspiratave të tyre, por edhe orientimin e tyre drejt familjes e vlerave më të larta qytetëruese perëndimore”.
presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka theksuar se kjo Lidhje punoi me të gjitha forcat për ta afirmuar kombin shqiptar dhe për të kundërshtuar copëzimin e trojeve etnike shqiptare, ndërkohë që projektoi edhe krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Sipas tij, për fuqizimin e kombit nevojitet uniteti, por edhe mbështetja te partnerët strategjikë ndërkombëtarë.
“Zhvillimi dhe fuqizimi i popullit shqiptar në të gjitha trojet e tij dhe integrimi në familjen e madhe euroatlantike është një mision për të cilin të gjithë ne duhet të punojmë bashkërisht”, ka theksuar presidenti Begaj. “Dhe për të mbushur këtë detyrim jemi me fat që të parët tanë përveç gjuhës dhe kulturës, na kanë trashëguar edhe miqësi të vjetra e partnerë strategjikë të besueshëm te të cilët mund dhe duhet të mbështetemi kurdoherë”.
Kryeministri Albin Kurti është kritikuar së fundmi për lëkundje të miqësisë me aleatët perëndimorë, pas refuzimit për të zbatuar kërkesat në lidhje me veriun.
Kurti ka vlerësuar se tani duhet të mbrohen interesat politike ngjashëm siç ishte vepruar në kohën e Lidhjes.
“Duke qëndruar të lidhur mes nesh dhe duke ruajtur lidhjet tona me idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ne ruajmë traditën e shëndoshë politike të angazhimit tonë të përditshëm për të çuar përpara interesat tona politike gjithnjë si një komb evropian”, ka thënë kryeministri Kurti. “Vetëm të lidhur bashkë dhe besnikërisht rreth lidhjes si mendësi dhe vetëdije politike mund të avancojmë në rrugën tonë për përforcimin politik të shteteve tona bashkë me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë, evropianë e amerikanë”.
Më 10 qershor të vitit 1878, Kuvendi i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit filloi punimet, me ç’rast u ngrit zëri kundër copëtimit të tokave shqiptare, derisa në mbledhjen e përgjithshme u vendos që të krijohet një organizatë me karakter politik e ushtarak, me qendër drejtuese në Prizren dhe me degët përkatëse në krahinat e ndryshme shqiptare.
Në këtë mënyrë, sipas historianëve lindi “Besëlidhja” që më vonë u quajt “Lidhja Shqiptare” ose “Lidhja e Prizrenit”.
Organizata politiko-ushtarake e Lidhjes, në luftë e sipër u shndërrua në një organizëm shtetëror me administratën, ushtrinë, dikasteret dhe territorin e saj, prandaj dhe gëzon statusin e ngjarjes së rëndësishme në historinë e përpjekjeve të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi kombëtare.