Shënimi i përvjetorit të 144-t të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të premten, ka bërë bashkë kryetarët e komunave shqiptare nga rajoni. Krahas mesazheve për unitet, ata janë zotuar për shtim të bashkëpunimit në frymën e kësaj Lidhjeje. Ndërsa historianët kanë përkujtuar rëndësinë që kjo ngjarje historike ka pasur për fatin e kombit shqiptar
Rëndësia e Lidhjes së Prizrenit për mbijetesën e lirinë e kombit shqiptar është përkujtuar gjatë shënimit të 144-vjetorit të kësaj ngjarjeje historike. Historianët kanë vënë në pah faktin se si rrjedha e historisë kombëtare nuk do të ishte e njëjtë pa Lidhjen. Ndërsa kryetarët e komunave shqiptare të rajonit që kanë zhvilluar një takim simbolik në Prizren kanë theksuar se si Lidhja mbetet frymëzim i shumë gjeneratave të shqiptarëve. Njëherësh kanë bërë thirrje për unitet e shtim të bashkëpunimit të ndërsjellë.
Në ceremoninë e mbajtur në Kompleksin Muzeor të LSHP-së, akademiku Pëllumb Xhufi ka vlerësuar se përvjetorët e Lidhjes shërbejnë si takime të veçanta të shqiptarëve me historinë.
“Përvjetorët e Lidhjes janë, duhet të jenë një takim i veçantë i çdo shqiptari me historinë, sepse faqja e shkruar më 10 qershor 1878 këtu në Prizren shënoi fundin e një epoke dhe fillimin e një epoke të re”, ka thënë Xhufi.
Ndërsa, kryetarët e komunave shqiptare të rajonit krahas mesazheve të unitetit kanë uruar që ky takim i tyre të shërbejë për ndërtimin e urave të bashkëpunimit për të sjellë zhvillim më të madh në trevat shqiptare.
“Ndërveprimi, uniteti, jetesa e përbashkët e aftësia ka qenë amaneti i atyre që luftuan për mbijetesën e shqiptarëve ndër shekuj, ka qenë amanet i projektit të LSHP-së. Prandaj sot këtu në Prizren, në kryeqytetin historik, në vendin simbol të bashkimit të shqiptarëve të vazhdojmë drejt qëllimeve të përbashkëta”, ka thënë kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.
Takimin e kryetarëve të komunave në Prizren, kreu i Tiranës, Erion Veliaj, e ka quajtur një Lidhje moderne e Prizrenit që duhet të sjellë punë të mira. “Ne duam dhe duhet të japim e të marrim nga njëri-tjetri, ne duhet të bëhemi bashkë, siç thoshte Gëteja, është e nevojshme të bashkohesh, por jo thjesht për të qëndruar bashkë, por për të bërë diçka, punë të mira, së bashku”, ka deklaruar Veliaj.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka vlerësuar se bashkëpunimi i pushteteve lokale mund të shtrihet në fusha të ndryshme e veçanërisht në aktivitete kulturore. “Ky takim mes kryetarëve të komunave nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, nga Mali i Zi, sot këtu në Prizren uroj të na rezultojë edhe me më shumë gjetje kreative për ura të reja mes nesh ose me e thënë ndryshe, për të reja Lidhje Shqiptare të Prizrenit”, është shprehur Rama.
Për dallim prej tyre, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka theksuar se shqiptarët e kësaj ane ende përballen me diskriminim nga Beogradi dhe se presin prezencë më të madhe të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, sikurse edhe bashkëpunim me komunat shqiptare të rajonit.
“Në këtë kontekst pra unë këtu sot dua thjesht të apeloj pikësëpari te kolegët e mi, ne jemi kryetarë komunash mund të punojmë më shumë së bashku nëpërmjet Unionit sesa që kemi bërë deri tani. Kemi bërë shumë, ka ende shumë për të bërë”, ka thënë Arifi.
Më 10 qershor të vitit 1878, Kuvendi i Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit pati filluar punimet, me ç'rast ishte ngritur zëri kundër copëtimit të tokave shqiptare, derisa në mbledhjen e përgjithshme ishte vendosur që të krijohet një organizatë me karakter politik e ushtarak, me qendër drejtuese në Prizren dhe me degët përkatëse në krahinat e ndryshme shqiptare. Në këtë mënyrë sipas historianëve lindi "Besëlidhja" (itifak) që më vonë u quajt "Lidhja Shqiptare" ose "Lidhja e Prizrenit". Organizata politiko-ushtarake e LSHP-së në luftë e sipër u shndërrua në një organizëm shtetëror me administratën, ushtrinë, dikasteret dhe territorin e saj, prandaj dhe gëzon statusin e ngjarjes së rëndësishme në historinë e përpjekjeve të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi kombëtare.