Arbëri

Begaj përmend forcimin e bashkëpunimit mes shqiptarëve në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit

Bajram Begaj

Foto: ZKM

(Përditësuar: 14:30) - Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka vizituar të martën e Komunën e Prizrenit, për nder të 147-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Komuna ka njoftuar se Begaj me kryetarin Shaqir Totaj diskutuan për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërshqiptar. Në takim u tha se u diskutua edhe për unitetin kombëtar, si faktor kyç për zhvillim, paqe dhe stabilitet në rajon.

“Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, priti sot Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Bajram Begaj, me rastin e 147-vjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare. Në këtë përvjetor të shënuar, ata përkujtuan themeluesit e shtetit shqiptar dhe theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërshqiptar, në të gjitha trojet. Gjatë takimit, u vu në pah se uniteti kombëtar mbetet faktor kyç për zhvillim, paqe dhe stabilitet në rajon. Prizreni, si simbol i identitetit dhe bashkimit kombëtar, edhe një herë dëshmoi rolin e tij historik dhe bashkëkohor në rrugën drejt një të ardhmeje të përbashkët”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Në aktivitetin për përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai ka deklaruar se Lidhja e Prizrenit është pika kulmore e rilindjes kombëtare shqiptare, duke thënë se kjo Lidhje i bashkon temat qendrore të historisë moderne të shqiptarëve.

“Lidhja dhe mendimtarët e Rilindjes e thanë qartë si një Ballkan i qetë dhe me të ardhme premtuese është Ballkani ku shqiptarët respektohen në gjuhën, numrin dhe territorin e tyre. Ata kërkonin atë që u takonte, dhe mëvetësinë nuk e donin për të dominuar të tjerët, por për të qenë të barabartë me të tjerët. Nëse Lidhja e Prizrenit duhej të ishte dëgjuar më mirë nga ideja politike e Fuqive dhe jo nga interesat afatshkurtër, sigurisht që Ballkani, ky rajon i yni nuk do të ishte në vijimësi metafora e Fuqisë së Barutit. Ja përse Lidhja është gjallë në mendjen e çdo shqiptari që respekton vehten si publikja më politike e kombit, por edhe te njerëzit e tjerë të cilët ndajnë të njëjtat vlera universale. Le të mendojmë sa herë që përmendim Lidhjen, edhe Rilindjen, këtë lëvizje të madhe të mendimit dhe të gjuhës të përbërë nga njerëz të një dije të lartë e të shquar, të vendosur më shumë se kurrë përpara një të shkuare të pashtjelluar kombëtare dhe një horizonti të ndërlikuar ndërkombëtar”, ka deklaruar Kurti, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.


Begaj sot në Kosovë

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Kosovë. 

Begaj në orën 10 pritet të takohet me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë vizitës së Begajt do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e  aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative”, thuhet në njoftim.