Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar Qeverinë duke thënë se nuk ka pasur reforma e as investime serioze në arsim.
Ajo ka vlerësuar se viti i ri shkollor ka nisur duke e gjetur vendin të papërgatitur.
“Ne kemi fëmijët që shkojnë kryesisht në ambiente të papërshtatshme me kushte minimaliste”, ka thënë ajo.
Ankesa ka pasur edhe për pagat e mësimdhënësve. Ka shtuar se ata janë në pozita të papërshtatshme dhe pa mbështetje të Ministrisë së Arsimit.
“I gjen pa paga dinjitare dhe me kushte të vështirësuara pune. Nuk kanë mjete digjitale e as kurrikulë digjitale”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.
Sipas saj, 1 shtatori i ka gjetur edhe prindërit në vështirësi për sigurimin e teksteve shkollore.
“Prindërit sot nuk i kanë marrë subvencionet për shkak të teknikaliteteve që i ka vendosur Ministria. Kosto e librave sot është shumë më e lartë sesa t’i siguronte vetë ministria”, ka thënë ajo.
Tutje ka deklaruar se me miratimin e Ligjit për Fëmijërinë e Hershme në vitin 2023, shkollimi parafillorë është bërë obligator për fëmijët e moshave 4-6 vjeç.
“Në Kosovë janë 22 mijë fëmijë të kësaj grupmoshe të cilët janë lënë jashtë subvencionimit nga MASHTI”, ka thënë ajo.