Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lushaku-Sadriu: Katër ditë para fillimit të mësimit, 200 mijë nxënës s’e dinë kur do t’i kenë librat

Jehona Lushaku-Sadriu

Foto: Driton Paçarada

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherit ish-drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, e ka quajtur të papërgjegjshme Ministrinë e Arsimit.

Ajo ka thënë se kanë mbetur edhe katër ditë para fillimit të mësimit por janë 200 mijë nxënës që ende nuk e dinë kur do t’i kenë tekstet shkollore. Lushaku-Sadriu përmes një reagimi ka deklaruar tutje se ministria ka pasur muaj të tërë për t’u përgatitur dhe nuk do të duhej të poshtëroheshin prindërit në këtë mënyrë.

“Rreth 200 mijë nxënës të klasave 1–9, vetëm katër ditë para fillimit të mësimit, ende nuk e dinë kur do t’i kenë tekstet shkollore. Prindërit presin subvencionet, libraritë presin prindërit, ndërsa fëmijët rrezikojnë të ulen përsëri në bankat shkollore pa libra. E Ministria e arsimit, sot, më 27 gusht, ende nuk e ka caktuar as shumën e subvencionimit për librat! Data e fillimit të vitit shkollor dihej botërisht. Ministria ka pasur muaj të tërë për t’u përgatitur, jo ta lë organizimin, kur zilja e parë është gati të bjerë”, ka thënë Lushaku-Sadriu.

Sipas saj kjo skenë po përsëritet tash e pesë vite me “vendime në minutën e fundit, prindër që vrapojnë pas librave, vonesa në furnizim dhe nxënës që e fillojnë shkollën pa kushtet më bazike për mësim.”

Një ditë më parë, ministri në detyrë i Arsimit, Hajrulla Çeku deklaroi se brenda ditës pritet të përmbyllen negociatat për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore. 

Edhe LDK: 1 shtatori e gjeti vendin të papërgatitur Arbëri LDK: 1 shtatori e gjeti vendin të papërgatitur

Ai tha se pas përfundimit të negociatave për çmimet do të përcaktohet edhe vlera e subvencionit, ndërsa më pas pritet të nisin pagesat për prindërit.

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur.