Ndërsa ka mbetur më se një javë afat për zgjedhjen e presidentit, kryeministri Albin Kurti është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshjeje mes partive politike. Ai ka thënë se votimi me 99 vota i Deklaratës për ish-drejtuesit e UÇK-së dëshmon se mund të ketë dakordim edhe për çështje të tjera. Kurti ka paralajmëruar takime të reja me liderët partiakë, ndërsa ka insistuar se marrëveshja me LDK-në për kandidaturën e Bekim Sejdiut mbetet në fuqi
Optimizëm për çështjen e presidentit, kryeministri Albin Kurti tha se i ka dhënë votimi me 99 vota i Deklaratës që kundërshton konstatimet e aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-drejtuesit e UÇK-së, i miratuar të hënën në Kuvend.
Kurti theksoi se edhe për të përmbushur pikat e deklaratës ku kërkohen veprime institucionale, duhet që të shmangen zgjedhjet. E kjo sipas tij nënkupton që presidenti duhet të zgjidhet deri më 6 tetor.
Kryeministri u shpreh i gatshëm t’i ftojë liderët partiakë në takime, pasi të përfundojë vizita e presidentes së Komisionit Evropian, të enjten.
“Është e domosdoshme të kemi takime të reja, në njërën anë na duhet strategji shtetërore për të pandehurit në Hagë që padrejtësisht u shpallën fajtorë, në anën tjetër gjithashtu nuk besoj që duhet të kemi destabilitet të mëtutjeshëm institucional në këtë situatë kur me 99 vota për e arritëm një dakordim të përgjithshëm dhe tash të hyjmë në rivalitetet e ashpra të fushatave zgjedhore, nuk besoj që është punë e mençur”, ka deklaruar Kurti në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë.
Kryeministri ka treguar se si ai asnjëherë nuk ka ndërruar qëndrim për Gjykatën Speciale. Prandaj edhe thotë se s’ka pritur drejtësi.
“Asnjëherë s’kam pritur drejtësi. Asnjëherë s’e kam ndryshuar këtë qëndrim për gjykatën. Akuza e ndërmarrjes së përbashkët kriminale duhet medoemos të korrigjohet në apel. Ka munguar transparenca, përveç se gjykatë mono-etnike. Dhe e treta janë ato pasaktësitë faktike dhe historike që dëgjuam më 16 shtator. Le të mos harrojmë se atë ditë janë lexuar dhjetëra faqe. Por vendimi i plotë është mijëra faqe”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi mes partive parlamentare për këtë çështje dhe bashkërendim i veprimeve me ekipet mbrojtës dhe ekipet e fushës.
“Si kryeministër, do të bëjmë gjithë çfarë dimë e mundemi bashkë me kolegët nga Qeveria në Apel. UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve, masakrave dëbimeve”, ka theksuar ai.
Kurti për çështjen e Speciales u deklarua pas mbledhjes së Qeverisë, në të cilën u miratuan 41 pika të rendit të ditës përfshirë ndarjen e 105 milionë eurove për pagën e 13-të. Po ashtu u proceduan për në Kuvend gjashtë projektligje, e janë miratuar disa marrëveshje ndërkombëtare.
Por në mesin e këtyre projektligjeve nuk ishte ai i propozuar nga PDK-ja që kjo parti po kërkon që të miratohet për të vazhduar më pas me çështjen e presidentit.
E nëse deri më 6 tetor nuk zgjidhet presidenti, qytetarët duhet t’i drejtohen sërish kutive të votimit më së largu në mes të nëntorit.
Lidhur me këtë çështje, Vetëvendosja, parti që udhëhiqet nga Kurti bashkë me Lidhjen Demokratike, në fund të gushtit patën arritur marrëveshje që si kandidatë të përbashkët për president ta vendosin profesorin universitar Bekim Sejdiu.
Gjashtë deputetë të LDK-së i dolën kundër marrëveshjes, e si rrjedhojë edhe Sejdiu u tërhoq nga kandidatura.
Por për Kurtin, marrëveshja është ende e vlefshme.
“Ne e kemi kandidatin, kandidati është profesor Bekim Sejdiu, nga marrëveshja. Profesor Bekim Sejdiu është tërhequr kur marrëveshjen e kanë shkelur e braktisur gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pra ishte një vendim i kushtëzuar i tij nga situata që u shkaktua për shkak të moszbatimit edhe të dakordimit tonë por edhe të vendimit të kryesisë së LDK-së”, ka thënë Kurti.
E kësaj deklarate i ka reaguar Avdullah Hoti, njëri nga deputetët e LDK-së që kundërshtuan marrëveshjen. Ai shkroi në Facebook se si mund të thirret dikush në një marrëveshje kur vetë personi i përfshirë në të është tërhequr nga kandidatura.
“Një dakordim mes dy kryetarëve të partive nuk mund të shndërrohet në urdhër për deputetët e Kuvendit. Kushtetuta është shumë e qartë: deputetët, si përfaqësues të popullit, nuk i nënshtrohen asnjë detyrimi”, ka shkruar ai.
Hoti i cili është në mesin e gjashtë deputetëve që refuzuan ta votojnë kandidatin Sejdiu, ka thënë se janë të gatshëm ta votojnë një kandidat nga LDK-ja për president, dhe se zgjedhin ‘zgjedhje të reja’ në vend të siç tha - nënshtrimit.
“Marrëveshjet politike mund të ndryshohen. Ne jemi gati të votojmë një kandidat nga Lidhja Demokratike të Kosovës, sepse vetëm kështu sigurohet balanca e pushteteve. Ne zgjedhim ‘zgjedhjet e reja’ në vend të nënshtrimit politik”, ka thënë Hoti në reagimin e tij.
E diskutimet për çështjen e presidentit, Partia Demokratike i ka lënë të hapura, nëse propozimi i saj për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale merr miratimin e kuvendit.
“Ne si Parti Demokratike e Kosovës kemi biseduar, kemi deklaruar që kur ta kemi Ligjin e aprovuar, jemi të hapur të bisedojmë për t’i dhënë vendit president. Nuk kemi folur nga kush, por për mundësinë që ta kemi presidentin. Nuk është në rregull të japim emra në tavolinë kur nuk jemi tek ajo pikë, tek ajo pikë me PDK-në nuk mund të mbërrihet pa kaluar ligji”, ka theksuar kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, pas takimit që tri ditë më parë pati me Albin Kurtin.
Data e fundit për zgjedhjen e presidentit (6 tetori) ka buruar nga Gjykata Kushtetuese derisa ajo ka interpretuar ligjshmërinë së konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë së re.
Në bazë të interpretimit që i ka bërë kohës kur Kuvendi konsiderohet i konstituuar, Gjykata ka përcaktuar edhe datën nga e cila llogaritet afati për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Të konstatojë që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026”, thuhet në pikën e gjashtë të aktgjykimit.
Kjo do të thotë se, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Afati maksimal përfundon më 20 nëntor, ndërsa e diela e fundit brenda kësaj periudhe bie më 15 nëntor.
Kuvendi është shpallur i konstituuar 37 ditë pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar vitin e shkuar nga gjykata. E po atë ditë, u votua edhe formimi i qeverisë me kryeministër Albin Kurtin.