Autoritetet hungareze kanë zbuluar rreth 19.5 milionë dollarë para të gatshme, të fshehura në ndërtesa bujqësore, depo, kasaforta dhe të groposura në pyje, gjatë një hetimi për korrupsion ndaj ish-ministrit të qeverisë së Viktor Orbanit.
Në qendër të hetimeve është Miklos Sesztak, i cili kishte shërbyer si ministër i Zhvillimit Kombëtar për katër vjet gjatë qeverisjes 16-vjeçare të Orbanit. Ai dyshohet se ka pranuar ryshfet në kuadër të një skeme që përfshinte kompaninë shtetërore të transportit, por i ka mohuar të gjitha akuzat.
Sipas Zyrës Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Aseteve (NVVH), gjatë kontrolleve dyditore janë gjetur 5.07 miliardë forinta, 2.65 milionë euro dhe mbi 1.25 milionë dollarë. Paratë janë transferuar në Thesarin e Shtetit të Hungarisë.
Kryeministri i ri hungarez, Peter Magyar, i cili e mposhti Orbanin në zgjedhjet e prillit, e cilësoi zbulimin si fundin e “mafies”.
Magyar kishte premtuar një fushatë të gjerë kundër korrupsionit dhe ndryshimin e sistemit të krijuar gjatë qeverisjes së Orbanit. Hetimet janë pjesë e operacionit të quajtur “Purgatori”, i cili synon të zbardhë dyshimet për korrupsion gjatë qeverisjes së mëparshme.