Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka paralajmëruar se në mandatin e ardhshëm bashkë me kryetarët e rinj të komunave do të punojë për integrimin e sistemit shëndetësor dhe atij arsimor serb brenda kuadrit ligjor të Kosovës. Mesazhi ka nxitur reagimin e Listës Serbe, kryetari i së cilës kërkoi nga KFOR-i e EULEX-i pozicionin pranë shkollave e spitaleve.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti paralajmëroi integrimin e sistemit shëndetësor dhe atij arsimor paralel serb brenda kuadrit ligjor të Kosovës.
Të enjten mbrëma, nëpërmjet një videomesazh Kurti u është drejtuar qytetarëve të komunitetit serb ku foli për rëndësinë e unifikimit të sistemit shëndetësor dhe atij arsimor.
“Sigurisht, dualizmi i sistemit shëndetësor dhe arsimor nuk është i qëndrueshëm. Është i nevojshëm inkorporimi i tyre dhe unifikimi. Këtë nuk dua ta bëj kundër jush apo pa ju. Gjatë mandatit tonë të ardhshëm, bashkë me të gjithë, përfshirë edhe kryetarët e ardhshëm të komunave, do të punojmë për inkorporimin e shëndetësisë dhe arsimit në një sistem të vetëm”, ka thënë Kurti.
Kurti ka deklaruar se veprimet do të ndërmerren në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
“Brenda një procesi të tillë do t’i bashkojmë idetë, përvojat dhe forcat me partnerët tanë ndërkombëtarë: Bashkimin Evropian dhe përfaqësuesin e tij special për dialog, vendet e QUINT-it dhe KFOR-in”, ka thënë ai.
Ky mesazh i Kurtit nxiti reagim te Lista Serbe, parti e cila mban lidhje të forta me Serbinë dhe është forca kryesore politike e serbëve të Kosovës.
Të premten, në Mitrovicë të Veriut protestuan pjesëtarë të stafit shëndetësor që punojnë në kuadër të sistemit të Serbisë.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, i cili është edhe drejtor i Qendrës Klinike në Mitrovicë të Veriut që vepron në sistemin e Serbisë, tha se shëndetësia dhe arsimi janë vija të kuqe që nuk duhet kaluar. Ai kërkoi vendosjen urgjente të pjesëtarëve të KFOR-it dhe EULEX-it para institucioneve shëndetësore dhe arsimore.
“Nuk ka asnjë dokument të nënshkruar që nënkupton integrimin e sistemit shëndetësor dhe sistemit arsimor në sistemin e Kosovës. Kjo nuk parashikohet nga plani i Ahtisaarit, marrëveshja e Brukselit nuk e parashikon këtë, as marrëveshja e Ohrit nuk e parashikon këtë. Pa arsim dhe spital, nuk mund të mbijetojmë këtu”, ka thënë Elek.
Por, Listës Serbe i ka reaguar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, duke rikujtuar se këto çështje janë trajtuar në marrëveshjet e kaluara.
“Marrëveshja e fundit e Ohrit... përcakton qartë integrimin e institucioneve të lartpërmendura në sistemin institucional të Kosovës nën kujdesin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Interpretime të tilla të paqarta të dokumenteve ndërkombëtare detyruese rrisin gjithashtu tensionet në një kohë tashmë të ndjeshme përpara zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, ku komunitetet lokale serbe pritet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre”, ka thënë Rohde.
Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur një numër institucionesh që Serbia i mban jashtëligjshëm në Kosovë. Veprimet janë shoqëruar gjithherë me kritika të ndërkombëtarëve.