Arbëri

Kurti me disa kërkesa për Kallasin

kurti - kallas

Pas takimeve me udhëheqësit e partive politike, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, të enjten mbrëma ka takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në darkë pune. 

Sipas njoftimit nga Kryeministria, gjatë darkës u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, agjendën e reformave evropiane dhe Planin e Rritjes. Por, thuhet tutje se Kurti foli edhe për konstituimin e institucioneve, raportet me Serbinë e të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. 

Kurti ka thënë se masat e BE-së duhet të hiqen plotësisht, teksa ka theksuar se Kosova duhet të marrë statusin kandidat si demokracia më e avancuar e Ballkanit Perëndimor. 

“Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj. Ndërkohë që rikujtoi se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë dhe se kryeterroristi Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, duhet t’i dorëzohet Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Kurti gjithashtu ngriti çështjen e shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga shteti i Serbisë dhe kërkoi që BE-ja të bëjë veprime konkrete për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës.