Mbrëmë vonë është mbajtur mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë së Kosovës për të diskutuar për efektet e sulmit të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
Këshilli i Sigurisë në një komunikatë për media ka bërë të ditur se tashmë janë marrë disa masa për mbrojtjen e vendit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Njëkohësisht, Republika e Kosovës shpreh solidaritetin e saj me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet dhe të drejta themelore. Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, dhe se janë duke i monitoruar për së afërmi zhvillimet në Lindjen e Mesme, sikurse edhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin. Ne po ashtu jemi në komunikim të afërt dhe të vazhdueshëm edhe me partnerët tanë strategjikë”, u tha nga Qeveria e Kosovës.
Qytetarëve të Kosovës, kudo që ndodhen, u është bërë thirrje që të informohen me burime të sigurta dhe të mos ndikohen nga materialet që nxisin pasiguri, tension e qasje kundër shtetit.
“U bëjmë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të qëndrojnë të qetë dhe të informohen vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe burimeve kredibile të informimit, dhe të mos bien pre e dezinformatave dhe propagandës që kanë për synim destabilizimin e vendit dhe krijimin e pasigurisë, tensioneve apo përhapjen e narrativeve kundër shtetësisë dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës mbetet një partnere e besueshme dhe e përkushtuar e komunitetit euroatlantik dhe do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet global”.
Pas sulmit të përbashkët SHBA-Izrael ndaj Iranit, Republika Islamike u është përgjigjur këtyre vendeve, ndër të tjera, duke goditur edhe baza ushtarake amerikane në shtete si Katari, Emiratet e Bashkuara e Bahrein dhe Kuvajt.
Britania, Franca e Gjermania dënuan këto sulme. Kosova ka shprehur përkrahje për aksionin e SHBA-së kundër regjimit iranian.