Arbëri

Kurti-gazetares: I thoni pronarit të televizionit tuaj t’ia kthejë Telekomit 62,2 milionë euro, lëri albuminat

Albin Kurti

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë prononcimit për media pas vizitës në Klinikën e Kardiologjisë, ka reaguar ashpër në pyetjen e gazetares së Klan Kosovës në lidhje me mungesën e albuminave. Fillimisht ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se albumina ka, porse ka pasur vonesa afro tri javore pasi është vonuar sjellja e tyre nga operatori ekonomik. Vitia ka thënë se “çdo vonesë evidentohet e dënohet operatori ekonomik”.

E më pas reagoi Kurti.

“Për transformim në shëndetësi nuk ka dilemë. I kemi prezantuar te rezultatet 4-vjeçare, e për to përgjigjet ministri. Ndërkaq znj. gazetare ju i thoni pronarit tuaj, pronarit të televizionit tuaj që t’ia kthejë 62.6 milionë euro Telekomit të Kosovës. Leji albuminat. 62.6 milionë euro duhet t’ia kthejë Korporata Devolli, Telekomit të Kosovës, pastaj flisni për albuminat”, tha Kurti.


AGK-ja e quan të papranueshme qasjen e Kurtit ndaj gazetares së Klan Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) përmes një deklarate për media ka dënuar sjelljen dhe qasjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ndaj gazetares së televizionit, Klan Kosova, Arbëresha Uka, gjatë një deklarimi publik.

“Gazetarja Uka e ka pyetur Kurtin për mungesën e barnave në QKUK, teksa ai i është përgjigjur me ton arrogant, duke i thënë “’lej ti albuminat. Thuj pronarit tuaj, televizionit tuaj le t’ia kthejnë 62 milionë Telekomit’”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Sipas AGK-së, kjo është një qasje e papranueshme e Kurtit ndaj mediave dhe gazetarëve, dhe përpjekje e hapur për të minuar punën e tyre, dhe për të fshehur mungesën e transparencës së qeverisë që ai ka udhëhequr në këto vitet e fundit.

Ka shtuar se “sulme si këto të Kurtit, qeverisë dhe partisë së tij, kanë kontribuar në masë të madhe që Kosova të bie drastikisht në indeksin e lirisë së mediave”.