LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Problemi janë pronarët e mediave dhe mungesa e profesionalizmit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur për herë të parë pas publikimit të fundit të organizatës së “Reporterëve pa Kufij”, ku Kosova është renditur e 99-ta, në indeksin global të lirisë së medias. Këtë raport, ai e ka cilësuar shqetësuese, por sipas tij, përgjegjësia nuk qëndron te qeveria, por te vetë mediat

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar për keqardhje rënien e Kosovës për 24 vende në Indeksin e sivjetmë të Lirisë së Shtypit, të publikuar nga organizata “Reporterët pa Kufij”.

Tetë ditë pasi raporti e rangoi Kosovën të 99-n mes 180 shteteve të botës, duke mbetur prapa të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë Serbinë dhe Shqipërinë, Kurti theksoi se përgjegjësia për këtë nuk bie mbi qeverinë që ai ka drejtuar për katër vjet.

Tel foli gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ai tha se përgjegjëse janë vetë mediat.

“Në Kosovë mediat janë të lira. Gjendja ku kanë rënë edhe në rënie të besimit publik është jo si pasojë e ndikimit te qeverisë, po e kontrollit të pronarëve dhe mungesës së profesionalizimit, e për ketë si Lëvizje Vetëvendosje e kemi thënë edhe kur ishim në opozitë, e mund ta zbatojmë kollaj si qeveri profesionalizimin gjithnjë më të madh me sa më shumë media në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se ndryshe prej qeverisjeve të kaluara, në radhët e qeverisë së tij nuk ka asnjë pronar mediash, ndërsa vlerësoi se raportet e pushtetit me mediat janë të distancuara dhe profesionale.

“Para nesh pushteti dhe mediat ishin së bashku, madje edhe në festa, edhe pushime. Ne i kemi hequr financimin e pushtetit ndaj medias, për të mos ndikuar në to dhe nuk kemi asnjë pronar mediash në qeveri, për të mos i kontrolluar ato”, ka thënë kryeministri në detyrë.

Në raportin e sivjetmë të “Reporterëve pa Kufij” theksohet se liria e medias në Kosovë është kërcënuar nga rregullimi i politizuar, qasja e pamjaftueshme në informacionin publik dhe nga rreziqet serioze për sigurinë e gazetarëve.

Sipas raportit, gazetarët përballen me sfida serioze, si ndërhyrjet politike, sulmet ndaj gazetarëve, diskriminimi etnik dhe mungesa e zbatimit të ligjit.

Edhe në raportin e vitit të shkuar, Kosova pati shënuar rënie tek ka rrëshqitur në vendin e 75-të, nga 56 sa ka qenë më 2023.