Kurti foli për herë të parë pas publikimit të raportit të organizatës “Reporterët pa Kufij”, sipas të cilit Kosova ka shënuar rënie të ndjeshme në Indeksin e Lirisë së Shtypit për vitin 2025, duke u renditur në vendin e 99-të nga 180 shtete – njëzet e katër pozita më poshtë se vitin e kaluar.
“Është për keqardhje rënia e thellë në indeksin e medias. Në Kosovë ka liri të shprehjes dhe liri të mediave, jam dëshmitar i kësaj nga përvoja dhe jeta këtu. Rënia në indeks është një kontradiktë me realitetin që jetojmë – dhe këtë kontradiktë duhet ta përmirësojnë vetë mediat”, u shpreh Kurti të shtunën gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai shtoi se, ndryshe nga qeveritë e kaluara, qeveria e tij nuk ka asnjë pronar mediash në radhët e saj, duke theksuar se raportet e pushtetit me mediat janë të distancuara dhe profesionale.
“Në Kosovë, mediat janë të lira. Rënia e tyre nuk është pasojë e kontrollit nga qeveria, por e ndikimit të pronarëve dhe mungesës së profesionalizmit. Ne e konsiderojmë median si një pasuri të shoqërisë, por edhe vetë media duhet ta trajtojë profesionin si një detyrë”, deklaroi Kurti.