Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri Arben Vitia e ambasadori i Luksemburgut, Eric Dietz, kanë parë nga afër punimet në Klinikën e Kardiologjisë, të mërkurën. Aty janë pyetur edhe për mungesën e barnave. Kurti i është shmangur pyetjes e Vitia ka arsyetuar mungesat
Përfaqësues shtetërorë justifikuan mungesën e një numri barnash esenciale, të mërkurën.
Gjatë vizitës për të parë punimet në Klinikën e Kardiologjisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e referoi përgjigjen te ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, kur u pyet për mungesën e albuminave.
“Për transformimin e shëndetësisë nuk ka dilema. I kemi prezantuar rezultatet tona 4-vjeçare, për të gjitha këto përgjigjet ministri”, ka thënë Kurti.
E ministri në detyrë Vitia mohoi se ka mungesë. Sipas tij, ka vetëm vonesë.
“Albumina ka, ka pasur vonesa dy ose trijavore, për shkak se është vonuar në sjelljen e albuminave nga operatori ekonomik. Këto vonesa kanë qenë të zakonshme çdoherë, por për dallim nga herët e tjera, kur ka pasur vonesa dhe nuk është ndërmarrë asgjë, tani çdo vonesë evidentohet dhe dënohen operatorët ekonomikë”, ka thënë Vitia.
Por, KOHA ka raportuar se operatorët ekonomikë janë shpërblyer me kontrata milionëshe, ndonëse vjet janë gjobitur shkaku i vonesave në ofrimin e barnave për të cilat kanë fituar tenderët.
Pyetja për mungesën e barnave është pasuar nga një akuzë e kryeministrit në detyrë.
“Zonja gazetare, ju i thoni pronarit tuaj, televizionit tuaj, që t’ia kthejë 62.6 milionë euro Telekomit të Kosovës, lej albuminat”, i është drejtuar Kurti një gazetareje të një mediumi.
E, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas kësaj deklarate, duke konstatuar se Kurti ka demonstruar përpjekje të hapur për të minuar punën e gazetarëve dhe mediave.
“Kjo është një qasje e papranueshme e Kurtit ndaj mediave dhe gazetarëve, dhe përpjekje e hapur për të minuar punën e tyre dhe për të fshehur mungesën e transparencës së Qeverisë që ai ka udhëhequr në këto vitet e fundit. Sulme si këto të Kurtit, Qeverisë dhe partisë së tij kanë kontribuuar në masë të madhe që Kosova të bjerë drastikisht në indeksin e lirisë së mediave”, thuhet në reagimin e AGK-së.
E, tek u është referuar punimeve të nisura një muaj më parë në Klinikën e Kardiologjisë, Kurti ka thënë se ato do të përmbyllen më shpejt se që është paraparë.
“Fillimisht është menduar që punimet të përfundohen për 9 muaj, por për shkak të intensitetit të shtuar mësuam lajmin e ri që në tetor, sivjet, këto punime do të përfundohen”, ka thënë ai.
Projekti mbështetet nga një donacion i Qeverisë së Luksemburgut, në vlerë prej 1 milion e 450 mijë eurosh.
Ambasadori i këtij shteti, Eric Dietz, është zotuar për mbështetje të mëtejme.
“Fatkeqësisht sëmundjet kardiovaskulare janë sëmundjet më të shpeshta në Të gjithë botën. Veçanërisht për njerëzit në moshë. Është po ashtu sëmundja më e shpeshtë në Kosovë, kështu që Luksemburgu e mbështet sektorin e shëndetësisë qe dy dekada dhe do ta vazhdojmë ta bëjmë këtë”, ka theksuar Dietz.
Gjatë kaTër vjetëve të fundit janë rinovuar një numër klinikash dhe është rritur buxheti për barnat esenciale. Por, vazhdimisht janë shprehur kritika për mungesë medikamentesh e për radhë të gjata pritjeje për shërbime në QKUK.