Në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Komitetit Politik Evropian (EPC), kryeministri në detyrë Albin Kurti ka zhvilluar takim bilateral me homologun nga Luksemburgu, Luc Frieden, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e fundit prej 50 milionë eurove për forcim të kapaciteteve institucionale dhe mirëqenie të qytetarëve.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut ndaj Kosovës, duke veçuar kontributin e çmuar në sektorin e shëndetësisë dhe fusha të tjera kyç të zhvillimit.
“Bashkëbisedimi u përqendrua gjithashtu në zhvillimet aktuale politike dhe prioritetet strategjike të Kosovës në raport me integrimin evropian. Kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e avancimit të mëtejmë në këtë proces, përfshirë kërkesën e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe progresin drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, thuhet më tej në komunikatë.
Kurti thuhet se ka falënderuar Friedenin për përkrahjen e Luksemburgut ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke riafirmuar gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe koordinimin në forume shumëpalëshe me interes të përbashkët.
-
Kurti bisedon me Merzin: Investimet direkte nga Gjermania në Kosovë rreth 1.5 miliardë euro
-
Kurti: Mbështetja e Francës e rëndësishme për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE dhe BE
-
Kurti takon kancelarin austriak: Kandidatët për BE duhet të trajtohen me të njëjtat kushte
-
Kurti takohet me Kosin në Mal të Zi në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit
-
Kurti merr pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit