Arbëri

Kurti diskuton për zgjedhjet me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë

Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti të martën ka diskutuar me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë që janë në Kuvend se cila është koha më e përshtatshme për të shkuar në zgjedhje.

Kurti më herët është takuar edhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe ka thënë se është i gatshëm për zgjedhjet nëse ka dakordim nga të gjitha partitë. Por LDK-ja e AAK-ja po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe më pas shpërndarjen e Kuvendit.

“Kryeministri Albin Kurti, informoi partnerët e koalicionit për procesin e konsultimeve politike me partitë parlamentare, si dhe theksoi rëndësinë e vendimmarrjes së përbashkët për proceset e ardhshme demokratike, përfshirë edhe diskutimin se cila është koha më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thuhet në njoftimin e Kryeministrit.

Në takimin e sotëm ishin të pranishëm zëvendëskryeministra Emilija Rexhepi, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, kryetari i Grupit Parlamentar multietnik Enis Kervan, nënkryetari i Kuvendit, Bahrim Shabani, deputetët, Fidan Jilta, Fridon Lala, Duda Balje, Samra Ilijaz, Bekim Arifi dhe Erxhan Galushi “me të cilët bisedoi për agjendën legjislative dhe rëndësinë e dinamikës së miratimit të Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe ligjet e rëndësisë së veçantë”.

“E rëndësishme ishte gjithashtu mbështetja e partive të komuniteteve joshumicë dhe konfirmimi i angazhimit të Qeverisë dhe Kryeministrit për ngritjen dhe fuqizimin e përfaqësimit të komuniteteve dhe mbështetja e vazhdueshme për ta me projekte konkrete”, vijon njoftimi.