Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në adresimin e tij në Javën kundër Korrupsionit, ka thënë se gjatë qeverisjes së tij afro 5-vjeçare janë shkatërruar 146 grupe kriminale, janë arrestuar 350 zyrtarë publikë e janë konfiskuar 6.7 ton drogë.
Ai ka thënë se janë shkatërruar 23 laboratorë të drogës, prej tyre 13 në veri të vendit. Po ashtu tha se janë ndalur veprat super korruptive të qeverisjeve të kaluara.
Kurti ka thënë se në me luftën e tij kundër korrupsionit është rritur edhe ekonomia e është zvogëluar papunësia nga 26 për qind në më pak se 11 për qind.
Ai nuk ka lënë pa kritikuar edhe Gjykatën Kushtetuese për bllokim të reformave.
“Rezultatet do të ishin më të mira po të mos bllokohej reforma antikorrupsion nga Gjykata Kushtetuese, sidomos byroja shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Por, siç e thotë populli kjo vetëm vonim se shpëtim nuk ka”, tha Kurti.
Ai ka thënë se për qeverinë e tij lufta kundër korrupsionit është detyrë e përditshme.
“Dikur kishim shumë korrupsion e më pak zhurmë për prezencën e tij. Ai nuk luftohej sepse shteti ishte i kapur. Sot kur ekonomia e buxheti i shtetit është shtuar me miliarda, kur janë luftuar e larguar abuzuesit e homologimeve, asfaltimeve e terminaleve, duke kursyer qindra miliona, ka ngelur, vetëm zhurma. E më të zhurmshmit janë ata që kanë humbur më së shumti”, tha Kurti.