Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se është e domosdoshme që hetimet dhe gjykimet për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë të marrin hov dhe ritëm.
Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të mërkurën, Kurti iu referua arrestimit të pesë ish-pjesëtarëve të policisë serbe më 14 qershor, të dyshuar lidhur me masakrën e Reçakut, duke vlerësuar punën e institucioneve për zhvillimin e hetimeve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMegjithatë, ai theksoi se arrestimet ndodhën pas një hetimi gjashtëmujor dhe sipas tij mbetet shqetësues fakti se për vite të tëra nuk ka pasur përpjekje të mjaftueshme për trajtimin e këtij rasti.
Sipas Kurtit, nga mijëra lëndë të trashëguara nga EULEX-i, asnjë nuk kishte të bënte me masakrën e Reçakut, duke theksuar se për më shumë se dy dekada ka munguar angazhimi për ndjekjen e përgjegjësve dhe vendosjen e drejtësisë.
“Derisa në njërën përgëzojmë institucionet për arrestimin e të dyshuarve pas siç u tha një hetimi gjashtëmujor, nuk mund të vëmë në spikam faktin se deri në vitin 2020 askush nuk është marrë me këtë rast. Rrjedhimisht nga mijëra lënda të trashëguara nga EULEX-i, nuk ishte asnjë për masakrën e Reçakut. Në njërën anë kemi arrestim pas gjashtë muajsh hetim e në anën tjetër kemi më shumë se dy dekada dështim apo kurrfarë përpjekjesh për ndjekje të përgjegjësve dhe zero angazhim për drejtësi për këtë rast”, ka thënë Kurti.
Ai paralajmëroi se kalimi i kohës po e vështirëson procesin e zbardhjes së krimeve të luftës, pasi shumë dëshmitarë janë në moshë të shtyrë, ndërsa një pjesë e tyre kanë vdekur.
“Derisa po afrohemi gati tri dekada nga lufta e fundit, dëshmitarët po plaken e jo pak të tillë edhe kanë vdekur. Andaj është e domosdoshme që hetimet dhe gjykimet për krimet e kryera gjatë luftës të marrin hov dhe ritëm”, ka deklaruar Kurti.
Ai shtoi se si Qeveri janë të interesuar dhe të përkushtuar për të ndihmuar në avancimin e proceseve që lidhen me krimet e luftës.