Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka akuzuar sot ish-partitë opozitare për bojkot dhe sabotim të themelimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Sipas tij, “destruktiviteti opozitar” po bëhet për shkak të xhelozisë dhe lakmisë ndaj Vetëvendosjes dhe mospranimit të rezultateve të zgjedhjeve.
Duke prezantuar, siç tha ai, kompromiset e bëra në këta muaj të krizës politike, Kurti deklaroi se “opozitarët as nuk po shtyhen dhe as nuk po ngrihen”.
Kanë kaluar pothuajse gjashtë muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ndërkohë që Kosova ende nuk ka themeluar institucionet e reja. Qe nga 27 korriku është vendosur një masë e përkohshme nga Gjykata Kushtetuese si pasojë e dështimit për konstituimin e legjislaturës së nëntë deri më 26 korrik – një afat i vendosur nga aktgjykimi i parë i kësaj gjykate. Masa e përkohshme vlen deri më datën 8 gusht.
“Subjekti ynë politik sot ka një numër deputetësh që janë më shumë sesa i dyti dhe i treti marrë së bashku. Si subjekt bindshëm fitues, kemi marrë përgjegjësitë tona që të prijmë në themelimin e institucioneve tona, si të Kuvendit ashtu edhe të Qeverisë. Por destruktiviteti opozitar ndaj themelimit të institucioneve të Kosovës, që në bindjen time ka xhelozinë dhe lakminë ndaj Lëvizjes sonë, në fakt është mospranim i rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit. Këtu ka një kundërthënie të madhe opozitare – ata për më shumë se katër vjet kanë folur zi e terr për qeverisjen tonë të mirë dhe demokratike dhe tani nuk po duan të konstituojnë Kuvendin, në mënyrë që eventualisht të ndryshojnë këtë qeveri që i prijmë”, tha ai.
Kurti, duke përmendur kompromiset që sipas tij janë bërë për konstituimin e Kuvendit, theksoi se partitë që deri tani ishin në opozitë “as nuk po shtyhen e as nuk po ngrihen”.
Kurti ka dërguar dy herë ftesë për bashkëpunim dhe bashkëqeverisje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, por kjo e fundit ka refuzuar. Ndërkaq, negociatat me Nismën, e cila ka tre deputetë në Kuvend, nuk kanë sjellë dakordim për bashkëpunim në nivel të legjislativit, pasi kërkesa e partisë së Fatmir Limajt ka qenë posti i kryetarit të Kuvendit.
“Përtej këtij bojkoti dhe sabotimi që për kaq muaj i bëri opozita themelimit të institucioneve, ne në vazhdimësi kemi qenë duke dhënë propozime dhe bërë kompromise në mënyrë që ato të themelohen sa më parë. Siç thotë edhe populli ynë, këta as nuk po shtyhen dhe as nuk po ngrihen. Të gjitha këto nuk i kanë bërë për shtetin, por për pak pushtet për vete. Ata nuk e kanë problemin me Albulenën, por me popullin që nuk u dha besimin dhe kanë problem me LVV-në që përfundimisht ua ka ndalur përfitimet e paligjshme dhe pasurimin privat, zhvatjen në dëm të interesit publik. Katër vjet për ta kanë qenë shumë, por më rëndë po bëhet kur mendojnë se kjo do të zgjasë edhe më shumë. Në këtë siklet nuk i ndihmojmë, pasi jemi zotuar se kjo politikë nuk kthehet më”, tha ai.
Këto komente Kurti i bëri në nominimin zyrtar të Hajrulla Çekut si kandidat për kryetar të Prishtinës nga Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje - Qendra në Prishtinë.
“Në zgjedhjet lokale duhet të fokusohet energjia dhe vëmendja jonë. Komunat, por posaçërisht Komuna e Prishtinës, është tejet e rëndësishme për t’u qeverisur nga ne. Jo sa për t’u qeverisur, por nga përvoja në qeverisjen qendrore, ju them me bindje të plotë se sabotimi politik që u bëhej projekteve tona – nga çerdhet e deri te banimi i përballueshëm social – dhe kësisoj privimi i qytetarëve për të përfituar nga këto projekte, është i dhimbshëm,” theksoi Kurti.
Në anën tjetër, kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, tha se partia e tij është e vetmja forcë që mund ta transformojë Prishtinën. Ai shtoi se në ditët në vijim do të shpalosë platformën afatgjatë - “Prishtina 2035”.