Në partinë që ka fituar zgjedhjet, nuk kanë shprehur gatishmëri për negociatat me partitë oponente për qeverinë e re. Kryetari i saj, Albin Kurti, ka thënë se diskutimi është i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit. Sipas tij, nevojitet bashkëpunim politik dhe ndryshim i qasjes së partive opozitare, që ai e ka quajtur refuzuese
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se për ta zgjedhur presidentin e ri, partitë opozitare duhet të ndryshojnë sjelljen, siç e ka quajtur ai, refuzuese.
Kurti, i cili është edhe kryeministër në detyrë, ka thënë pas përurimit të një rruge të martën se, do të përpiqet të sigurojë bashkëpunim me opozitën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Nuk kanë munguar ofertat në të kaluarën nga ana jonë. Qasja jonë është konstruktive, është kreative, është aktive, por shpresoj që kësaj radhe do të ndryshojë qasja e opozitës dhe propozimeve tona, sikurse herën e kaluar që iu përgjigjën me refuzime, nuk do të kenë më pjesë të identitetit që na bëri t’i quajmë bllok opozitar. Sepse e keni parasysh, ofruam bashkëqeverisje, thanë jo”, ka thënë Kurti.
Kurti ka theksuar se për ta zgjedhur presidentin, në legjislaturën e re kërkohen edhe vota të opozitës, meqë sipas aktgjykimit të Kushtetueses, në dy rrethet e para të votimit duhet të marrin pjesë së paku 80 deputetë. Ai është shprehur se aktgjykimi nuk përbën interpretim të Kushtetutës, por krijon normë të re.
“T’ju them të drejtën ka pasur tejet shumë interpretime kritike, kredibile, sepse ne e dimë që Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej ta rishkruajë Kushtetutën, as ta amandamentojë atë, por do të duhej vetëm ta interpretojë. Dhe ne kemi pasur shumë shembuj kur kemi pasur një lloj aktivizmi juridik. Por, ndodhemi tash në këtë rrethanë dhe neve na duhet bashkëpunimi”, ka thënë ai.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e 7 qershorit. Bazuar në rezultatin e deritashëm, ajo ka siguruar 52 ulëse në Kuvend.
Eksponentë të kësaj partie kanë thënë se rezultati ua mundëson ta formojnë vetë Qeverinë, vetëm me deputetët e komuniteteve, pa përfshirë ata të Listës Serbe.
KOHA ka kërkuar nga partitë oponente të Vetëvendosjes, qëndrim nëse do të pranojnë bashkëpunim për formimin e Qeverisë, nëse do t’iu bëhej ftesë, por nuk ka marrë përgjigje.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë më parë se partia e tij është e hapur për bisedime me të gjitha subjektet politike, pa përjashtuar as Vetëvendosjen. Sipas tij, çfarëdo marrëveshje koalicioni, duhet t’i përfshijë të gjitha pozitat shtetërore.
Në përpjekjet për të zgjedhur presidentin gjatë legjislaturës së shkuar, Kurti pati takime me Hamzën e edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, por dështuan ta arrijnë marrëveshjen. Zgjedhjet e parakohshme u shpallën, në mungesë të zgjedhjes së kreut të shtetit.
Bazuar në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese, koha prej 60 ditësh për ta zgjedhur presidentin, nis të rrjedhë me t’u konstituuar përbërja e re e Kuvendit.