Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka autorizuar kryetarin e Gjykatës Supreme, atë të Apelit, Administratives, Komerciales dhe kryetarin e Themelores në Prishtinë, që të ndërmarrin masa për shkak të temperaturave të larta që mbizotërojnë në Pallatin e Drejtësisë. Atyre u është lënë në dorë, që në bazë të vlerësimit të reduktojnë ose të pezullojnë punën
Autore: Ilirjana Thaqi
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka autorizuar kryetarët e gjykatave që varësisht nga gjendja në Pallatin e Drejtësisë, të pezullojnë ose të reduktojnë punën për shkak të temperaturave të larta.
Vendimi është marrë pasi anëtarët e KGJK-së kanë vlerësuar se kushtet aktuale janë të papranueshme dhe paraqesin rrezik për shëndetin e gjyqtarëve dhe stafit administrativ.
Në mbledhjen e mbajtur të hënën kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaçi, ka theksuar se varësisht nga vlerësimi, kryetarët mund të vendosin për reduktimin apo pezullimin e punës deri në përmirësimin e gjendjes.
“Gjendja është e papranueshme, është e patolerueshme dhe më nuk po flasim për kushtet e punës, por po flasim për jetën e njerëzve. Sa është humane dhe është detyrim i joni që të sigurohemi të paktën të mos pësojnë në shëndet. Domethënë, në temperatura të larta të verës, kur të arrijë ora 11:00, ne duhet të mendojmë a mundemi të qëndrojmë deri në orën 16:00”, ka thënë Thaçi.
Edhe
Pallati i Drejtësisë kthehet në “saunë”
Ai ka thënë se gjendja në Pallatin e Drejtësisë është alarmante.
Edhe anëtaret e tjerë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës kanë thënë se këto kushte janë të papërballueshme.
“Kushtet në këtë kohë të verës, me këtë nivel të temperaturave të larta, besoj që janë krejtësisht të papërballueshme për punë, gjë të cilën e kemi vërtetuar edhe vetë ne”, ka thënë Fahret Velija, anëtar i KGJK-së.
Vendimi është marrë një muaj pas nisjes së zbatimit të kontratës për klimatizim të objektit në vlerë prej 9.880 eurosh.
Edhe
Vapa në Pallatin e Drejtësisë, Komercialja liron punonjësit me sëmundje kronike
Muajin e kaluar KOHA ka raportuar se ajo nuk e ka zgjidhur problemin me temperaturat e larta në Pallatin e Drejtësisë, ku në shumë hapësira temperaturat janë rreth 30 gradë Celsius.
Prej se i janë hapur dyert Pallatit të Drejtësisë në vitin 2014, hapësirat e brendshme kanë qenë të acarta dimrit, e kanë ngjarë në sauna ditëve të verës.