Arbëri

Deri në 31.2 °C ambientet e punës në Pallatin e Drejtësisë, gjobitet KGJK-ja

Shkaku i mosfunksionimit të klimatizimit e kushteve të papërshtatshme të punës në Pallatin e Drejtësisë, Inspektorati Qendror i Punës i ka shqiptuar gjobë prej 5 mijë eurosh Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Vendimi për gjobë është marrë pas inspektimeve të bëra në këtë objekt, e ku është konstatuar se ambientet e punës nuk i përmbushin as kushtet minimale për siguri në punë, meqë temperaturat në to janë regjistruar mbi 31 gradë Celsius. Në KGJK pranuan se janë gjobitur, porse thanë që organi kompetent për menaxhimin e Pallatit është Ministria e Brendshme

Pesë mijë euro gjobë ia ka shqiptuar Inspektorati Qendror i Punës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës për kushtet e papërshtatshme të punës, shkaku i klimatizimit jofunksional dhe vapës brenda objektit të Pallatit të Drejtësisë.

Në këtë pallat që nga themelimi nuk ka funksionuar sistemi i klimatizimit, për çka gjatë muajve të verës brenda tij kanë mbizotëruar temperatura të larta e që kanë ndikuar që të merret vendim për shkurtimin e orarit të punës.

Në Inspektoratin Qendror thanë se vendimi për gjobë është marrë pas inspektimeve të kryera, nga të cilat u konstatua se në Pallatin e Drejtësisë ka kushte minimale për punë.

“Gjatë vizitës inspektuese, e realizuar pas ankesave të të punësuarve në KGJK, është hartuar procesverbali me të gjeturat nga inspektimi dhe është lënë afati ligjor për përmirësimin e tyre. Megjithatë, KGJK-ja nuk e ka ofruar asnjë dëshmi relevante për përmbushjen e detyrimeve ligjore, dhe po ashtu nuk e ka parashtruar asnjë vërejtje lidhur me konstatimet e inspektoratit. Duke qenë se KGJK-ja është punëdhënës, mbetet në përgjegjësinë e saj ligjore të sigurojë kushte të përshtatshme për sigurinë dhe shëndetin në punë të të gjithë të punësuarve”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit.

Në Inspektorat thanë se gjatë vizitave të bëra në hapësirat e Pallatit të Drejtësisë janë evidentuar temperatura të larta jashtë vlerave standarde të lejuara.

“IQP-ja i ka bërë matjet e temperaturave përmes Termometrit të dorës TFI 260 me numër serik 72100700, dhe termometrave të vendosur në muret e hapësirave (zyrave) punuese, ku në disa nga mjediset e ambienteve të punës brenda objektit A dhe Objektit D, konkretisht në zyrat e objektit A në katin e parë, zyra nr. 126 shënon temperatura 31.2 gradë Celsius, në katin e dytë, saktësisht në zyrën me numër A204 ishte temperatura e zyrës 30.05 gradë Celsius”, thuhet në përgjigje.

Për këtë shkak, Inspektorati ka konstatuar se KGJK-ja, si punëdhënës, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Siguri dhe Shëndet në Punë, duke mos siguruar temperatura të përshtatshme në mjedise pune dhe ajrosje të mjaftueshme në vende të mbyllura.

Gjobën e shqiptuar e kanë konfirmuar në KGJK, por thanë se organi kompetent për menaxhimin e Pallatit të Drejtësisë është Ministria e Punëve të Brendshme.

“Për mirëmbajtjen dhe mbikëqyrjen teknike të Pallatit të Drejtësisë kompetente është Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Administratës Publike, jo KGJK-ja. Këshilli është në fazën finale të bartjes së përgjegjësive nga MPB-ja në KGJK”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së.

KOHA adresoi pyetje edhe në Ministrinë e Brendshme për punët rreth rregullimit të termopompës në Pallatin e Drejtësisë, porse nuk ka marrë përgjigje.

Katër godinat që përbëjnë Pallatin e Drejtësisë, janë ngritur me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian. Edhe procedurat e prokurimit për këtë projekt i pat zhvilluar BE-ja, zyrtarë të së cilës vazhdimisht kanë mohuar akuzat se punëkryesi nuk përmbushi detyrimet që lidhen me klimatizimin.