Temperaturat e larta që po mbizotërojnë në Pallatin e Drejtësisë kanë bërë që Këshilli Gjyqësor t’i autorizojë gjykatat për pezullimin ose reduktimin e orarit të punës. Në Gjykatën Komerciale kanë thënë se punonjësit që vuajnë nga sëmundjet kronike, janë liruar tashmë nga puna. E në gjykatat e tjera, kanë thënë se po e monitorojnë situatën pas përmirësimit të pjesshëm të sistemit të klimatizimit
Një ditë pasi Këshilli Gjyqësor ka autorizuar gjykatat që të ndërmarrin masa për pezullimin ose reduktimin e orarit të punës, për shkak të temperaturave të larta në Pallatin e Drejtësisë, në Gjykatën Komerciale kanë njoftuar se tashmë kanë ndërmarrë masa për mbrojtjen e stafit.
Nga Komercialja kanë njoftuar se temperaturat në ambientet e punës janë shumë të larta.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Me autorizim të kryetarit të Gjykatës, janë ndërmarrë masa për mbrojtjen e stafit. Punonjësit që vuajnë nga sëmundje kronike ose që për shkak të gjendjes shëndetësore, nuk kanë qenë në gjendje t’i përballojnë temperaturat e larta, janë liruar nga puna sipas vlerësimit të rasteve konkrete. Sa i përket gjendjes aktuale në Pallatin e Drejtësisë, konkretisht në Objektin A, kati i IV, ku vepron Gjykata Komerciale, temperatura në ambientet e punës sillet ndërmjet 34-40°C, varësisht nga zyra”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Komerciale të Kosovës.
Sipas kësaj gjykate, gjendja do të monitorohet dhe nëse kushtet e punës nuk e mundësojnë zhvillimin normal të aktivitetit gjyqësor, do të ndërmerren masat e nevojshme.
E nga Gjykata Supreme kanë bërë të ditur se situata në ambientet e punës është më mirë.
Në një përgjigje për KOHËN, nga kjo gjykatë kanë thënë se gjendja është stabilizuar ndjeshëm pas intervenimeve.
“Gjendja aktuale e sistemit të klimatizimit në objektin e Gjykatës Supreme është stabilizuar ndjeshëm pas intervenimeve të kryera nga kompania e kontraktuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Funksionimi i sistemit po monitorohet në baza ditore dhe varësisht nga gjendja me temperatura nëpër zyra, do të vlerësohet nevoja për ndërmarrjen e masave përkatëse, përfshirë reduktimin e orarit të punës ose pezullimin e përkohshëm të punës, nëse paraqitet e nevojshme”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.
Edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë thënë se është vërejtur një përmirësim i gjendjes sa u përket temperaturave në ambientet e punës.
“Në Pallatin e Drejtësisë, gjatë dy ditëve të fundit është vërejtur një përmirësim i gjendjes sa u përket temperaturave në ambientet e punës, përkatësisht sistemi i klimatizimit ka filluar të funksionojë. Në këto rrethana, Gjykata aktualisht nuk e vlerëson të arsyeshme ndërmarrjen e masave për reduktimin ose pezullimin e punës. Megjithatë, Gjykata do të monitorojë në vazhdimësi situatën dhe, nëse paraqitet nevoja, do të zbatojë masat e përcaktuara në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së gjyqtarëve, stafit administrativ dhe palëve”, thuhet në përgjigjen e Themelores.
E në Gjykatën Administrative kanë theksuar se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim për reduktimin ose pezullimin e orarit të punës.
“Aktualisht nuk ka ndonjë vendim për reduktimin ose pezullimin e orarit të punës për shkak të temperaturave të larta nga ana e Gjykatës Administrative, për arsye se tani për tani temperaturat nuk janë të atij niveli që punën në gjykatë e bëjnë të papërballueshme, por se U.D. kryetari i Gjykatës në harmoni me vendimin e marrë nga KGJK-ja me datë 06.07.2026, për autorizimin e kryetarëve të gjykatave për ndërmarrjen e masave të nevojshme organizative për shkak të temperaturave të larta në Pallatin e Drejtësisë do ta përcjellë gjendjen në vazhdimësi dhe konform situatës edhe do të marrë vendim përkatës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Administrative.
Të hënën kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Rrustem Thaçi, ka autorizuar kryetarët e gjykatave që varësisht nga gjendja në Pallatin e Drejtësisë, të pezullojnë ose të reduktojnë punën për shkak të temperaturave të larta në ambientet e punës.
Vendimi është marrë një muaj pas nisjes së zbatimit të kontratës për klimatizim të objektit me vlerë prej 9.880 eurosh.
Pallati i Drejtësisë prejse është hapur është përballur vazhdimisht me probleme të tilla. Gjatë dimrit, i ftohti shpesh ka pamundësuar mbajtjen e seancave, e gjatë verës temperaturat kanë shkuar deri në mbi 30 gradë.