Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në hapjen e Paradës së Krenarisë në Prishtinë të shtunën. Ai i ka prirë paradës, i shoqëruar nga ministrat, Albulena Haxhiu, Hajrulla Çeku e Arben Vitia. Paradës po i prijnë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.
Nis Parada e Krenarisë
Parada e Krenarisë ka nisur të shtunën në Kosovë nën sloganin “Kemi qenë dhe do t’jemi”.
Java e krenarisë ka nisur më 3 qershor dhe gjatë javës janë mbajtur aktivitete të ndryshme.
“Sllogani ‘Kemi qenë dhe do t`jemi’ është kaq i vogël për ta përshkruar ndjenjën tonë të krenarisë, për atë çka jemi e për atë ku do të arrijmë, ku do të lartohemi. Ekzistenca jonë është në paradën tonë të përditshme, në defileun tonë në një vend ku ngjyrat shpesh pengojnë. Duke e respektuar të kaluarën tonë, ne duam të shohim kah e ardhmja. Heshtja ka qenë mekanizmi ynë për shumë gjatë, por jo tash e tutje. Në mes të sfidave e vështirësive, shpirtrat tanë kanë mbetur të fuqizuar”, thuhet në një komunikatë të organizatave që organizojnë javën e cila shërben si demonstrim për barazi te komunitetet LGBTIQ+.
Ky është edicioni i tetë i Javës së Krenarisë në Kosovë.
Java e Krenarisë është ngjarje që mbahet në ambiente të jashtme në të cilën përmes festës bëhet thirrje për pranimin e personave homoseksualë, biseksualë, transgjinorë dhe të tjerë në shoqëri.