Arbëri

Krasniqi: Fituesit iu garantua subvencioni e në tender s'ishte specifikuar

krasniqi

Gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se një nga problemet me kontratën për dhënien me qira të impiantit të mbetjeve shtazore ka qenë që në shpallje nuk specifikohej subvencionimi i kompanisë fituese.

Sipas tij, kjo mund të ketë qenë shkak që kompani të tjera të mos konkurronin.

“Kontestuese është kjo, nëse në ato specifika nuk e ke publikuar edhe një rresht që thotë ‘ne e garantojmë subvencionin për një ton mbetje shtazore japim kaq subvencion’, ndërsa pas shpalljes së fituesit, me kontratë ti ia ke garantuar këtë subvencion. Kjo është problem. Me këtë ti nuk ua ke dhënë njerëzve këtë garancë dhe ndoshta njerëzit i kish bë me apliku aty”, ka thënë Krasniqi.


Kërçeli: Po bëhet gjykim publik ndaj ministrit Peci, më përpara s'bëhej kështu

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka thënë se po bëhet gjykim publik ndaj ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, siç nuk është bërë për asnjë rast të mëparshëm në këtë ministri. 

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Kërçeli ka deklaruar se nuk ka pasur gjykime të tilla publike ndaj dikujt ende pa filluar hetimi. 

“Në të kaluarën nuk ka pasur këso investigime dhe këso paraqitje sikur të mbrohej një doktoraturë për ato që kanë ndodhur më herët. Nuk ka pasur konstatime nga mediat e as gjykime të tilla publike ndaj dikujt ende pa filluar një hetim. Po e marr shembull rastin e ish-ministrit Rikallo. Kolegu juaj Besnik Krasniqi ka shkruar para disa ditësh një status ku bëhej fjalë për një keqpërdorim katër milionë euro. Ky keqpërdorim katërmilionësh ishte me grante për familjarët e politikanëve. Ne nuk kemi pasur një gjykim publik paraprak, as konstatim, por e kemi kuptuar vetëm kur ka dalë në media. Nuk ka pasur konstatime, gjykime publike të tilla ku në Ministrinë e Bujqësisë janë gjetur çanta me para në stalla të disa shtëpive që nuk ka pasur asnjë lloj veprimtarie bujqësore të fermerit”, ka thënë ai.


Dakaj përplaset me Krakin, numëron shkeljet në kontratën e MBPZHR-së

Çështja e kontratës për dhënien me qira të impiantit të mbetjeve shtazore ka përplasur deputetin e Listës Guxo, Nezir Kraki, me gazetarin Shkëlzen Dakaj.

Dakaj ka numëruar shkeljet e bëra në këtë kontratë, por është kundërshtuar nga Kraki i cili ka thënë se nuk ka ndonjë organ shtetëror që i ka konstatuar shkeljet e përmendura dhe andaj nuk mund të quhen shkelje.

“Në çfarëdo qeverie tjetër ku ti nuk kishe qenë i lidhur direkt me interesat që sot je pjesë e koalicionit të një partie që ka qenë në pushtet dhe po pritet me marrë edhe një mandat, ti nuk kishe fol kështu. Ti ishe mbyt tu i përmend krejt këto shkelje që janë në këtë tender. Shkelja e parë është që ajo kompani është çelë 4-5 ditë pasi është shpallë interesi. E dyta, nuk ka konzorcium, e treta ka dalë shkelje e bardha mbi të zezë, shkelje e Ligjit të Prokurimit Publik e kurdisur që shihet prej aeroplani – është kur kompania e di që ti ki me dhënë një subvencion e në kritere nuk e ke se kjo kompani ka me marrë subvencionim prej shtetit për kilazhin e mbetjeve shtazore. Me dhjetëra shkelje janë në këtë proces...”, ka thënë Dakaj në “Konfront” të KTV-së.

Dakaj iu ka drejtuar Krakit se kundërshtimi i tij tregon se ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është i përfshirë në aferë korruptive.

“Ti je duke e dëshmuar se ti më shumë se krejt ne që po i ngremë këto dilema që Peci është i sharruar në këtë aferë korruptive. A e di pse? Se nuk po më le me përfundu, ti po e mbron ende pa e përfunduar. Janë konstatuar me dhjetëra shkelje në këtë proces të prokurimit”, ka thënë Dakaj.

Teksa, Kraki i ka thënë Dakajt se “si gazetar nuk mund të thuash janë konstatuar këto shkelje”.


Kraki: Vetë MBPZHR-ja ka denoncuar me dhjetëra raste, por prokuroria nuk u mor me asnjë

Deputeti i Listës Guxo në Kuvend të Kosovës, Nezir Kraki, ka thënë se vetë Ministria e Bujqësisë, e cila nën drejtimin e Faton Pecit po dyshohet për keqpërdorime të kontratës për dhënien me qira të impiantit të mbetjeve shtazore, ka denoncuar me dhjetëra raste por Prokuroria nuk është marrë me asnjë. 

Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Kraki ka thënë se më parë ka pasur raste të ndërtimit ilegal, të lëshimit të pronave të shtetit me qiraja qesharake apo të uzurpuara, që më pas janë denoncuar, por janë tejkaluar si “normale”.

“Nuk kemi deri sot ndonjë provë evidente apo fakt që x prokurori mbahet mend për ndonjë lëndë apo rast, pra ka qenë një lloj përgjumje e institucionit të hetuesisë. Politika që e menaxhon shtetin, që qeverisë, është nën vëzhgimin së pari të Parlamentit e më pas edhe të institucioneve të hetuesisë e drejtësisë. Ajo që për ne është jo krejt e qartë, është mënyra, qasja, sepse e njëjta ministri ka çuar me dhjetëra denoncime, ministria vetë ka identifikuar shkelje kur ka ardhur aty z.Peci dhe i ka nisur drejt prokurorive të ndryshme dhe nuk ka pasur diçka. Në të njëjtën ministri, e kuptoi e gjithë Kosova që provat e kësaj ministrie, pronat e shtetit kishin qenë me qiraja qesharake, apo të uzurpuara komplet, ose me ndërtime ilegale dhe gjithë ato vite kalonin dhe krejt ajo konsiderohej si normale dhe nuk ka asnjë rast kur ka zbarkuar në atë ministri Prokuroria”, ka thënë ai.

Sipas tij, prokurorët do të duhej të kishin qasje tjetër. 

“Shkeljet nuk mund të kategorizohen, por dënimi më pas varion sipas peshës së shkeljes, por shkeljet që kanë ndodhur para ardhjes së ministrit Peci aty, kanë qenë masive, strukturale, sistemike. Prokurorët janë të njëjtë, është dashur të kenë një qasje tjetër”, është shprehur Kraki.