LAJMET E MBRËMJES

Peci reagon një ditë pas intervistimit si i dyshuar, thotë se ka vepruar në interes të publikut

Edhe të mërkurën, me urdhër të Prokurorisë Speciale janë kryer bastisje në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, lidhur me dyshimet që kanë të bëjnë me dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore. E një ditë pas intervistimit, ka reaguar ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, duke thënë se ka vepruar gjithmonë në interes të publikut

Bastisje të reja me urdhër të Prokurorisë Speciale janë zhvilluar këtë të mërkurë në zyrat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Prova materiale janë sekuestruar lidhur me dyshimet që kanë të bëjnë me dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore.

“Ju njoftojmë se bastisja ka përfunduar. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me hetuesit policorë, po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve, në këtë fazë nuk mund të japim më shumë detaje rreth rastit”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.

Përveç bastisjeve, një ditë më parë si të dyshuar janë intervistuar ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, dhe kryeshefi ekzekutiv i AUV-it, Bekim Hoxha, por janë liruar në procedurë të rregullt. 

E një ditë pas intervistimit ka reaguar ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci.

“Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherësh janë dëshmitarët më të vëmendshëm në çdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt e kam kryer detyrën zyrtare”, ka shkruar Peci.

Po ashtu, të mërkurën, Policia në raportin 24-orësh ka dhënë detaje për rastin.

“Bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore të Prishtinës nga Njësia e Veçantë e Hetimeve janë kryer kontrolle në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, zyrën e një kompanie private dhe Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike (kompjuterë, telefona), si dhe dokumente të ndryshme në përputhje me urdhëresën e Gjykatës. Dy persona janë intervistuar dhe pas intervistimit në prani të avokatëve me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Bastisjet dhe intervistimet e ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, si dhe të kryeshefit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha, lidhen me dyshimet për dhënien me qira të fabrikës për mbetje shtazore.

Sipas kontratës, kompania fituese do të subvencionohet për çdo kilogram të mbetjeve shtazore që ajo i trajton.