Arbëri

Fabrika për mbetje shtazore, Ismajli: Kontrata u dha me një miks procedurash pa mbështetje ligjore

ismajli. pdk

Të martën Policia ka bastisur katër lokacione në Prishtinë e Ferizaj lidhur me dyshimet për keqpërdorim të kontratës për dhënien me qira të impiantit të mbetjeve shtazore. Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është intervistuar nga organet e hetuesisë po të njëjtën ditë. Në Prokurorinë Speciale kanë thënë se Peci u intervistua në cilësinë e të dyshuarit. I intervistuar ishte edhe kryeshefi i AUV-it, Bekim Hoxha.

Naim Ismajli nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se ka argumente të mjaftueshme për të konstatuar se ka shkelje ligjore, procedurale e vepër penale në këtë rast. Ai në emisionin “60 Minuta” në KTV ka theksuar se në dhënien e kontratës është bërë një miks procedurash që nuk kanë pasur mbështetje në ligj.

“Shpallja e kontratës ka pasur dy runde. Në rundin e parë gjoja nuk ka pasur oferta dhe në të dytin ka thënë ministri se është shpallje e suksesshme pasi ka rezultuar me një kompani. E meta e shpalljes ligjore është se për një kontratë të tillë është dashur të ndiqen procedurat mbi bazën e ligjit për administrim të pronave publike”, ka thënë ai.

Ismajli ka shtuar se përveç shkeljeve, ka pasur edhe favorizim të kompanisë në dëm të buxhetit të shtetit.

“Përveç tejkalimit të procedurave, jep tendenca të favorizimit të kompanisë fituese. Nuk është potencuar përfitimi i operatorit fitues të mundshëm, subvencionimi. Subvencionimi parasheh 0.16 euro. D.m.th. 16 cent për secilin kilogramë mbetje. Kapaciteti maksimal është 20,000 tonë. Nëse e marrim se operon 20,000 tonë kompania, qeverisë i bie të subvencionojë 3.2 milionë për operatorin. Përfitimet e Qeverisë janë 30,000 euro qira vjetore. Edhe këtu është interesante si është caktuar kjo”, u shpreh tutje.

Ismajli ka theksuar se ministri ka tejkaluar kompetencat në kohëzgjatjen e kontratës, ndërsa përmendi udhëzimin administrativ për subvencionimin e operatorit të nënshkruar pas dhënies së kontratës.

“Kemi hulumtuar ku është baza ligjore e këtij subvencionimi dhe kemi hulumtuar udhëzimet administrative që ka nxjerrë ministria. E gjejmë udhëzimi që krijon këtë mundësi të favorizimit të operatorëve, është i hartuar më 19 mars 2025, që i bie 2 muaj e 9 ditë pas nënshkrimit të kontratës. Kjo tregon tendencat për favorizim. Këto argumente janë të mjaftueshme për të konstatuar se ka shkelje ligji se nuk është respektuar ligji, ka shkelje procedurale se nuk janë respektuar procedurat, ka konsumim të veprës penale – tejkalim i kompetencave të autoriteteve në kohëzgjatje të kontratës në qira”, ka potencuar Ismajli.

Të martën Policia ka kryer bastisje në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë e Ferizaj lidhur me dyshimet për keqpërdorim të kontratës për dhënien me qira të impiantit të mbetjeve shtazore. Pas aksioneve, ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është intervistuar nga organet e hetuesisë. Në Prokurorinë Speciale kanë thënë se ai është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. Pos tij, është intervistuar edhe kryeshefi i AUV-it, Bekim Hoxha.

Në një postim në Facebook të mërkurën, një ditë pas intervistimit, Peci shprehu mirënjohje për siç tha, solidaritetin që i është treguar dhe e theksoi veçanërisht besimin e 133,987 qytetarëve që i dhanë votën në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ai ka shkruar se epilogu i këtij procesi do të jetë i qartë për të gjithë ata që e njohin punën e tij, siç ka thënë, sidomos për rreth 30 mijë fermerë që përfitojnë subvencione dhe grante çdo vit nga ministria që ai udhëheq.