Një donacion 3 milionësh me reagensë i është dërguar Klinikës Infektive për Laboratorin Mikrobiologjik të përuruar para shtatë muajsh, por që ende nuk është funksionalizuar.
Ky laborator është krijuar nga fondet e projektit “Mbështetje për Sistemin Shëndetësor të Kosovës”, nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, e cila të hënën e ka furnizuar atë edhe me reagensë, raporton KOHA.
Funksionalizimi i Laboratorit nuk pritet të ndodhë as për 2 javët e ardhshme, ndonëse në Kosovë deri më tani numri i të infektuarve ka shkuar në mbi 15 mijë persona.
“Kanë mbetur edhe tri çështje pa u zgjidhur për fillimin e punës, statuti juridik i Laboratorit të Mikrobiologjisë, plotësimi me laborantë që pritet të bëhet brenda 10 ditëve të fundit”, ka thënë Valbon Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të SHSKUK-së.
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, tha se ky laborator i ka të gjitha kapacitetet për ta ndihmuar Klinikën Infektive në testime për COVID-19.
“Ky laborator është pjesë e projektit të përbashkët që e kemi financuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor, një projekt që ka filluar qe 7 vjet më parë dhe është një ndër pjesët më të mira të këtij projekti që është bërë nga bashkëpunimi italian. Në të njëjtën kohë, siç e dini është edhe një ekip mjekësor italian që është duke qëndruar këtu për të ndihmuar në menaxhimin e pandemisë. Siç jemi duke e parë këto ditë në Evropë, përkundër Italia është në një situatë më të mirë, mirëpo jemi duke e parë në Evropë që kriza nuk ka kaluar, përkundrazi numrat vetëm po rriten dhe po shfaqet ajo vala e dytë për të cilën ishte folur më herët”, ka deklaruar ai.
Në ceremoninë e dorëzimit të reagensëve në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QKUK, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, bëri thirrje për kujdes të shtuar pavarësisht lehtësimit të masave.
Në 24-orëshin e fundit, në Kosovë, 2 persona kanë humbur betejën me COVID-19, 41 persona janë infektuar nga gjithsej 654 teste, ndërsa janë shëruar 73 qytetarë.