Arbëri

Fluks i qytetarëve për t’u testuar, Omicroni prezent në shumicën e rasteve

Numër i madh i personave, po prisnin në rend për t’u testuar për Covid-19.

Ata dyshonin se janë të infektuar me këtë virus, teksa me një gjendje të tillë, tash e disa ditë po përballen, punëtorët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Ata që u testuan thanë se këtë po bëjnë për shkak të kontakteve që kanë pasur me persona të infektuar.

“Pak jo shumë, nja 10, 15 minuta. Mirë shumë. Vetëm me bo një kontroll, faktikisht me pa nëse jemi me virus”, tha një qytetar.

“Kena COVID, që kanë dalë me virus e kemi ardhur me u testu edhe ne. Po të tretën dozë të vaksinës e kam marr para dy jave”, tha një qytetare.

Derisa në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik vazhdon rritja e testimit të mostrave të dyshimta, edhe në Klinikën Infektive, është rritur numri i pacientëve.

Sipas drejtorit të kësaj klinike, gjendja aty vazhdon të jetë e qetë, derisa tregon se pacientët që janë duke marrë trajtim, shumica janë të pavaksinuar.

“Nga këta pacientë që i kemi ne të hospitalizuar vetëm dy janë të vaksinuar në mënyre komplete, kurse 85 ose 90% e të spitalizuarve, janë të pa vaksinuar, kjo është një e dhënë jo e mirë, sepse, shumica nga këta pacientë që ne i kemi të spitalizuar, po të ishin të vaksinuar nuk do përfundonin me formën e vet klinike”, tha drejtori i Infektives, Arben Vishaj.

Vishaj shton se presin që numri i të hospitalizuarve të rritet. Tregon se shumica e personave që kanë udhëtuar nga shtetet e ndryshme për në Kosovë, janë me variantin Omicron.

“Është e mundur që numri i kërkesave për spitalizim të rritet, meqë kemi rrije të numrit të të infektuarve. Ne nga Klinika Infektive, i dërgojmë pacientët për COVID, kurse varësisht nga anketa epidemiologjike, është IKSHPK, që e përcakton se cilët pacientë duhet të testohen për Omicron, dhe nga testimet e fundit, ka rezultuar se një numër shumë i madh, i pacientëve të prekur me COVID-19, janë të variantit Omicron”, tha Vishaj.

Sipas, njoftimit të SHSKUK-së, 43 pacientë të konfirmuar me COVID-19, po marrin trajtim në Klinikat e QKUK-së e në spitale regjionale.

Në 24 orët e fundit, në Kosovë janë regjistruar 728 të infektuar me koronavirus, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.

Gjatë kësaj periudhe janë shëruar 99 pacientë, ndërsa numri total i rasteve aktive është 5.118.