Në klinikat e QKUK-së është rritur numri i të hospitalizuarve nga COVID-19 dhe profesionistët shëndetësorë nuk kanë qenë në gjendje të thonë nëse varianti Omicron është më i përballueshëm nga pacientët.
“Për dallim prej valëve tjera mund të themi se atëherë kanë qenë numër i madh i të infektuarve, por kemi pas edhe numër të madh të hospitalizuarve, kurse tash me këtë numër kaq të madh, numri i tyre (hospitalizuarve) është më i vogël, por se a është ky variant është më i rëndë apo më i lehtë për ne është ende herët të themi”, tha infektologia Albina Kunushevci.
Të hënën janë rikthyer vdekjet nga COVID-19 në Kosovë. Pas dy ditëve të vikendit pa ndonjë rast që përfundoi me vdekje, Ministria e Shëndetësisë raportoi se në 24 orët e fundit 3 persona të infektuar e humbën betejën me virusin.
Sipas Ministrisë, gjatë kësaj periudhe kanë rezultuar pozitivë me virusin SARS-CoV-2, 1 mijë e 593 raste të reja. Krahas përgjysmimit të të infektuarve, ka rënë dukshëm edhe numri i të vaksinuarve. Brenda një dite janë administruar 943 doza të vaksinës kundër pandemisë.
E në klinika dhe spitale të hënën kanë qenë duke u trajtuar 204 pacientë, të infektuar nga COVID-19.
Në Klinikën Infektive janë të shtrirë 80 pacientë, në atë të Pediatrisë 12 pacientë dhe në Gjinekologji 15 pacientë.
Edhe
Kërkesë e ulët për hospitalizim me COVID-19, infektologët vlerësojnë vaksinimin
Infektologia Albina Kunushevci, tregon se ani pse në Klinikën Infektive është rritur numri i të hospitalizuarve, gjendja e tyre është stabile.
“I kemi diku rreth 80 pacientë që po marrin trajtim, disa dmth, një pjesë e madhe e tyre që kanë nevojë edhe për oksigjen. Mirëpo kemi edhe raste tjera të cilat po rezultojnë pozitivë me sëmundje tjera që i kanë bazë, të cilët kanë nevojë për trajtim ose observim të gjendjes së tyre që të mos vije deri te përkeqësimi për shkak të virusit SARS-COV 2”, tha Kunushevci.
Si pasojë e shtimit të rasteve të të infektuarve në mesin e nxënësve dhe mësimdhënësve, 90 shkolla janë duke vijuar mësimin nga distanca.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bëri thirrje për kujdes të shtuar dhe zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Po kështu, apeloi për vaksinimin me dozën përforcuese dhe dozën e tretë, të cilën, sipas Institutit, mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18-vjeçare.