Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KFOR-i: Do të vazhdojmë të ushtrojmë mandatin në gjithë Kosovën, përfshirë edhe në veri

Në pikat kufitare në Jarinjë nuk janë parë ushtarë të KFOR-it duke ruajtur. KFOR-i ishte vendosur në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak, më 2 tetor, si pjesë e marrëveshjes së nënshkruar për targa mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Sipas marrëveshjes KFOR-i do të vendosej për dy javë në këto pika kufitare, duke filluar nga 2 tetori, ndërsa po atë ditë u larguan Njësia Speciale e Policisë së Kosovës si dhe barrikadat e vendosur nga serbët në veri.

Në një përgjigje për KOHËN nga një zyrtar i NATO-s është thënë se KFOR-i do të vazhdojë të ushtrojë mandatin e vetë në gjithë Kosovën.

“KFOR-i do të vazhdojë të ushtrojë mandatin e vet e marrë Kombet e Bashkuara, sipas rezolutës 1244 të vitit 1999, në gjithë Kosovën, përfshirë edhe në veri të Kosovës, për të siguruar një ambient të sigurtë dhe liri të lëvizjes për gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në një përgjigje të një zyrtari të NATO-s për KOHËN.