Arbëri

Largohen barrikadat, tërhiqet Njësia Speciale, KFOR-i në pikat kufitare

Serbët përfundimisht kanë larguar bllokadat e vendosura më 20 shtator në rrugët që shpien drejt pikave kufitare në veri. Derisa në Jarinjë, Njësia Speciale u përball me reagime të protestuesve për largimin e tërësishëm të barrikadave, një gjë e tillë nuk ishte problem për pjesëtarët e Policisë së Kosovës në Bërnjak. Por, në të dyja pikat kufitare, protestuesit përcollën largimin e autoblindave të Njësisë Speciale me thirrje të ndryshme. Detyrën e ofrimit të sigurisë në dy pikat kufitare, KFOR-i do ta ushtrojë për dy javë

Orën e fundit të afatit e kanë pritur serbët për t’i zhbllokuar pikat kufitare veriore, Jarinjë e Bërnjak. Të shtunën, është përmbushur pika e parë e marrëveshjes për çështjen e targave të arritur dy ditë më parë, midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Sipas kësaj pike, prej orës tetë të mëngjesit deri në gjashtëmbëdhjetë pasditen e së shtunës, duhej të largoheshin barrikadat e vendosura nga serbët dhe të tërhiqeshin pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Meqë marrëveshja e Brukselit për depërshkallëzimin e situatës parasheh zëvendësimin e Policisë së Kosovës me KFOR-in, palët zhvilluan diskutimet e para. E kush do të largohej i pari, Njësia Speciale apo barrikaduesit, bënë që komunikimi me KFOR-in të intensifikohej. Duke përcjellë mesazhet e serbëve, KFOR-i vendosi që Njësia Speciale duhej të largohej njëkohësisht me ta.

Tensioni se kush të largohej i pari

Një gjë e tillë nuk u pranua nga Njësia Speciale, të cilët insistuan se nuk do të largoheshin nga pozicionet e tyre, pa u larguar të gjitha barrikadat e rruga të lirohej për qarkullim.

Në pikën kufitare në Jarinjë, kërkesat e serbëve i shpalosi kryetari i Leposaviqit, Zoran Todiq. Ai është shprehur optimist se Qeveria e Kosovës do ta respektojë marrëveshjen përkundër se janë të vetëdijshëm për situatën në veri.

“Në momentin që lëvizin Njësitë Speciale edhe makineritë hiqen. Kryesorja është të ruhet paqja dhe situata të kthehet në normalitet”, ka thënë Todiqi në Jarinjë.

Por, urdhri i Policisë ishte i qartë: S’ka tërheqje nga Jarinja pa largimin e secilës barrikadë. Rezistenca e protestuesve nuk zgjati shumë. E kështu serbët nisën t’i largonin disa nga kamionët. Por, nga vendi nuk e lëvizin edhe atë që mbante banerin, i cili “uron mirëseardhje” në Asociacionin e vetëshpallur serb. Më pas, autoblindat e policisë u afruan disa metra para, mirëpo refuzuan të largohen nga Jarinja pa u hequr edhe ky kamion.

Situata është tensionuar kur nga afër policia u kërkoi serbëve largimin e kamionit. Në negocimin e situatës u përfshi edhe KFOR-i, mirëpo serbët fillimisht nuk u bindën. Ata vetëm e lëvizën kamionin ca metra para.

Përballë padëgjueshmërisë serbe, autoblindat e Policisë u detyruan të tërhiqeshin.

Barrikada problematike, brohoritjet e serbëve

Rreth dy orë më vonë, protestuesit vendosën ta largojnë kamionin megjithëse në mesin e serbëve pati pakënaqësi për këtë vendim. Me eliminimin e barrikadës problematike, forcat speciale nisën largimin e tyre nga pozicionet në të cilat qëndruan për 13 ditë rresht. E largimi i autoblindave të Njësisë Speciale u përcoll me thirrje të emrit të Serbisë.

Me thirrjen e njëjtë sikurse në Jarinjë, Njësia Speciale u përcoll edhe nga Bërnjaku. Por, në këtë pikë kufitare, as Njësisë Speciale e as pjesëtarëve të KFOR-it nuk iu doli punë me serbët, të cilët nuk rezistuan e as reaguan ndaj largimit të barrikadave, të cilat i paraprinë tërheqjes së forcave speciale policore të Kosovës.

Më shumë sesa njësive policore e ushtarake, në Bërnjak punë iu doli serbëve protestues. Të njëjtit, disa pronarë të automjeteve të përdorura si barrikada e disa vetëm protestues, u angazhuan në riparimin e prishjeve të disa prej tyre.

Derisa ato rregulloheshin e filluan të lironin rrugën pjesërisht, një grup prej protestuesish e mekanikësh, u nisën për te barrikada e katërt, e që ndodhej në mes të pozicionit ku ishin të vendosur Njësia Speciale e pika kufitare e Bërnjakut. Nga pika ku kanë qëndruar që nga 20 shtatori, e deri te barrikada e vendosur në po atë ditë, protestuesit u shoqëruan nga pjesëtarë të KFOR-it. Koordinimin mes protestuesve, udhëheqësve të tyre e KFOR-it e ka asistuar deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq. Përveç angazhimit të KFOR-it në zbatimin e planit për zhbllokimin e rrugëve, helikopterë të këtij misioni e vëzhgonin zonën nga hapësira ajrore e Kosovës.

Detyrën e ofrimit të sigurisë në dy pikat kufitare, KFOR-i do ta ushtrojë për dy javë.

Marrëveshja për targat është arritur të enjten, më 30 shtator, në Bruksel, pas diskutimeve dyditore mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian e me angazhimin edhe të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Përveç zhbllokimit të rrugëve, zëvendësimit të Njësisë Speciale me KFOR-in, marrëveshja parasheh që të dyja shtetet t’i mbulojnë simbolet e tyre shtetërore në targa me letra ngjitëse gjatë qarkullimit nëpër territoret përkatëse. Kjo pritet të aplikohet nga e hëna, më 4 tetor, me fillim nga ora tetë e mëngjesit. Derisa një gjë e tillë do të vazhdojë për gjashtë muaj, afat brenda së cilës palët duhet të angazhohen për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.