Adaptimi i një hapësire për vendosjen e një aparature në QKUK që kapte vlerën rreth 2 milionë euro, rrezikon t’i shkaktojë humbje të mëdha Ministrisë së Shëndetësisë. Me projekt joadekuat në QKUK kishin filluar punimet në hapësirën e Kardiologjisë ku duhej të vendosej aparatura e angiografit e blerë përmes kredisë austriake. Por austriaket kërkuan që projekti të ndërrohej, e të rifillonin punët ndryshe. Kompanisë iu shkëput kontrata, por e paditi MSh-në, ekspertiza gjyqësore ia ka njohur humbjen në vlerë të 200 mijë eurosh
Humbje të mëdha financiare rrezikon Ministria e Shëndetësisë për shkak të një keqplanifikimi të vitit 2017 nga ana e ShSKUK-së. Përmes një kredie austriake, vite me parë, Kosova pati blerë aparaturën e angiografisë. Austriakët kishin vetëm një kush - adaptimin e hapësirave ku duhej të vendosej aparatura. Por kjo çështje që kishte të bënte me hapësira MSH-së, rrezikon tash t’i kushtojë rreth gjysmë milioni euro.
Kontrata “Adaptimi i hapësirave për angiograf në QKUK” fillimisht ishte nënshkruar në vitin 2017 në vlerë të mbi 200 mijë eurosh, por që një vit me vonë austriakët konsideronin që i gjithë projekti ishte gabim. Ministria e Shëndetësisë anuloi kontratën ndonëse ishin kryer rreth 20 për qind e punëve, e nënshkroi një tjetër kontratë për të njëjtin aktivitet. Kompania së cilës iu shkëput kontrata tashmë rastin e ka dërguar në gjykatë. E javën e kaluar ka mbaruar ekspertizën e humbjes se pretenduar, dokument të cilin e posedon KOHA.
Për punët e papërfunduara që i është shkëputur kontrata janë kalkuluar rreth 200 mijë euro. E përafërsisht kaq ky institucion kishte paguar kompaninë e dytë që ta bënte adaptimin e kësaj hapësire.
Gati 34 mijë euro, nëse gjykata e merr të mirëqenë këtë ekspertizë, do të paguhen kamatë ndëshkuese.
Neglizhenca në kryerjen e punëve për adaptimin e hapësirës për angiograf i pati shkaktuar edhe humbje të tjera QKUK-së. Në mungesë të tij, pacientët me sëmundje në zemër referoheshin jashtë vendit. Më shumë se 3 vjet pas blerjes, kjo aparaturë pati mbetur në Austri. Vlera e saj ishte 2.1 milionë euro, e që një hulumtim i çmimeve nga KOHA në kohën kur ishte bërë blerja, kishte konstatuar se ky aparat mund të blihej me çmim shumë më të lirë.
Kjo blerje pati nisur gati një dekadë me parë. Kjo e dhënë është edhe në faqen e Ministrisë se Shëndetësisë.
“Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani dhe përfaqësuesi i kompanisë Vamed (operator i përzgjedhur nga Agjencia austriake për shëndetësi dhe inxhinieri AHC), në kuadër të Projektit për modernizimin e Kardiologjisë invazive në QKUK, kanë nënshkruar kontratë për realizimin e këtij projekti”, thuhet në një komunikatë të vitit 2015.
E aty janë dhënë detaje të tjera në lidhje me këtë marrëveshje.
“Kontrata e nënshkruar sot kap shumën prej 2.6 milionësh nga 4.6 milionë nga kredia e dedikuar për shëndetësi, nga Marrëveshja e bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Austrisë e vitit 2012. Pra, në mes MSh-së dhe kompanisë Vamed, është nënshkruar kontrata për furnizim me aparaturë mjekësore për Klinikën e Kardiologjisë Invazive dhe kontrata e cila përmban kushtet e pagesës së kredisë”, thuhet në faqen e MSH-së.